Algjeria fal shkrimtarin e burgosur franko-algjerian
Algjeria ka rënë dakord me një propozim gjerman për të falur dhe liruar nga burgu shkrimtarin e njohur Boualem Sansal, mes një përplasjeje diplomatike midis Parisit dhe Algjerit.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier i kërkoi të hënën presidentit algjerian Abdelmadjid Tebboune që ta falë 81-vjeçarin Sansal, i cili vuan nga kanceri, dhe ta transferojë atë në Gjermani për trajtim mjekësor.
Falja e tij u njoftua më pas në një deklaratë nga presidenca algjeriane të mërkurën.
Kryeministri francez Sébastien Lecornu tha në parlament se ndihej i lehtësuar nga lajmi, dhe “falënderoi nga thellësia e zemrës ata që punuan për këtë lirim”.
Sansal, një shtetas franko-algjerian me shtetësi të dyfishtë dhe një kritik i zëshëm i regjimit algjerian, u burgos nëntorin e kaluar me akuzat për minimizimin e unitetit kombëtar.
Burgosja e tij u prit me zemërim në Francë, ku ai është parë si peng politik mes përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Franca shkaktoi zemërim në Algjeri kur njohu sovranitetin e Marokut mbi territorin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore në verën e vitit 2024.
Megjithatë, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Francës tha në një intervistë në radion franceze të hënën, se po shihte shenja se Algjeria donte të “ripërtërinte dialogun” me Francën.
Franca ka kërkuar vazhdimisht lirimin e Sansal që nga arrestimi i tij, me presidentin francez Emmanuel Macron që shkoi deri aty sa tha se Algjeria po “çnderonte” veten duke e burgosur atë.
Por vendimi i Algjerisë për t'iu përgjigjur një kërkese gjermane për lirimin e Sansalit, në vend të një kërkese franceze, me siguri do të ngjallë habi në Paris./ Politico.