Turp në ekran: futbollisti i Burrelit, viktimë e talljeve raciste në RTSH

Një ngjarje e turpshme dhe zhgënjyese ka ndodhur në emisionin “Super Gol” në RTSH, ku futbollisti me ngjyrë i Burrelit, Arnold Kwaku Siaw, u bë objekt talljesh me nuanca të hapura raciste. Në momentin kur lojtari u shfaq për t’u intervistuar, figura e tij nuk dukej qartë në ekran, një situatë që, në vend që të trajtohej me profesionalizëm, u shndërrua në një skenë për të qeshur për drejtuesen Hygerta Sako dhe panelistët Ardi Behari, Gert Haxhiu e Klajdi Kola.

Në vend që të kërkohej menjëherë ndjesë për problemin teknik, të qeshurat në studio e shndërruan momentin në një shfaqje fyese. Kulmi i mungesës së respektit arriti kur Gert Haxhiu, me një batutë të papërshtatshme, tha: “Faleminderit RTSH-së që në momentet e fundit na e zbuloi, sepse dukej si rrëfimet e atyre njerëzve që nuk duan të flasin.”

Në një përpjekje të kotë për ta zbutur situatën, moderatorja Sako u mundua ta justifikontre incidentin, duke thënë se “fajin e kishte LED-i i RTSH-së”. Por dëmi tashmë ishte bërë. Reagimi i klubit KF Burreli ishte i menjëhershëm dhe i ashpër:

“Në një emision televiziv sportiv, u bë një akt i turpshëm bullizmi dhe talljeje ndaj lojtarit tonë Siaw, i cili me profesionalizëm e përulësi po përfaqëson me nder Burrelin.”

Edhe trajneri i skuadrës, Samuel Nikaj, shprehu indinjatën e tij me një mesazh të fortë:

“Disa humbasin gjithçka për të ruajtur dinjitetin. Të tjerë fitojnë gjithçka, por e shesin shpirtin për një vend në tavolinë.”

Ngjarja ka ngjallur zemërim dhe keqardhje, duke treguar se pavarësisht përparimeve në futbollin shqiptar, respekti dhe ndjeshmëria ndaj diversitetit ende mbeten të brishta.