Pse rrugët në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në BE? Bledi Himçi vë në vështirësi zëvendësministren me pyetjet ‘e nxehta’
Mbledhja e Komisionit për Burimet Natyrore është shoqëruar me debate të forta, teksa deputeti i opozitës Bledi Himçi ka ngritur një sërë pyetjesh kritike mbi menaxhimin e fondeve publike dhe projektet madhore infrastrukturore, duke vënë në vështirësi përfaqësuesen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Në fjalën e tij, deputeti kritikoi fillimisht procedurën e ndjekur, duke theksuar se diskutimi i projektbuxhetit pa miratimin paraprak të paketës fiskale është një nisje “së prapthi” e procesit. Më pas, ai kaloi te pyetjet thelbësore lidhur me projektet konkrete.
Kryefjala e diskutimit ishin kriteret e përzgjedhjes së projekteve rrugore. Deputeti kërkoi të dijë se cilat janë kriteret ekonomike dhe territoriale që ndiqen, si dhe nëse ekziston një analizë kosto-përfitim për këto investime, e cila të marrë në konsideratë ndikimin tek qytetarët dhe bizneset.
Një vëmendje të veçantë iu kushtua bypass-it të Elbasanit, një projekt të cilin deputeti e cilësoi si “gangrenë prej shumë vitesh” për shkak të trafikut kilometrik që krijon. Ai vuri në dukje se ky aks është jetik jo vetëm për Elbasanin, por për të gjithë qarkun juglindor të Korçës. Deputeti shprehu habinë se si në projektbuxhet janë parashikuar fonde për zgjerimin e segmenteve të tjera si Elbasan-Qafë Thanë dhe Elbasan-Paper, ndërkohë që për bypass-in, i cilësuar si më i domosdoshmi, mungon një zë i qartë financiar. Ai kërkoi informacion konkret për vlerën totale të projektit dhe shumën e investimit të planifikuar për përfundimin e tij deri në vitin 2026.
Bledi Himçi: Kjo mbledhje e komisionit për buxhetin për infrastrukturën duhet të kishte pasur një mbledhje të mëparshme, cila ishte paketa fiskale. Normalisht ne nuk kemi kaluar paketën fiskale, pavarësisht se nuk i përket Ministrisë së Infrastrukturës, por i përket Ministrisë së Financave, por të paktën si komision ne duhet të kishim dhënë mendimin në lidhje me paketën fiskale, mbi të cilën përpilohet dhe hartohet i gjithë projektbuxheti. Dhe ky është momenti i parë në të cilët neve e kemi nisur së prapthi, ndryshe nga rastet e zakonshme që ndodh që një projektbuxhet para se të miratohet, duhet të kalojë fillimisht paketën fiskale.
Unë gjithsesi kisha disa pyetje që përsa i përket, së pari e nderuar zonja zëvendësministre, e kam në lidhje me infrastrukturën. Cilët janë kriteret ekonomike dhe territoriale që keni përdorur për përzgjedhjen e projekteve, sidomos asaj të infrastrukturës rrugore? Domethënë, çfarë kriteresh keni përdorur në këtë lloj aspekti për zgjedhje? Një pikë e dytë është, po në vazhdim të kësaj, a ka analizë të kostove dhe përfitimeve nga aktorët e tregut, qofshin konsumatorë, dhe qofshin sipërmarrje? Kush është analiza e kosto-përfitimit? Domethënë për në investimin e këtyre rrugëve që keni përzgjedhur. Një pikë të tretë po në vazhdim, unë e dëgjova me kënaqësi lajmin e bukur që na dhatë përsa i përket nyjes apo bypass-it të Elbasanit në hyrje, për arsye sepse është kthyer në gangrenë prej shumë vitesh.
Janë radhë kilometrike, por nuk i shërben vetëm qarkut të Elbasanit, i përket edhe qarkut juglindor të Korçës, pasi është e vetmja arterie që komunikojmë sot. E shikoj këtë në aspektin që në projektbuxhet keni parashikuar zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Keni po ashtu Elbasan-Papër në zgjerimin e rrugëve në lote të caktuara me vlerat përkatëse. Dhe ajo që është më kryesorja dhe më konkretja dhe më thelbësorja dhe më e domosdoshmja për qarkun e Elbasanit është bypass-i. Dhe investimet shkojnë në këtë aspekt të caktuar që ju thoni. Domethënë, kush ka qenë analiza juaj që duhesh bërë zgjerimi Elbasan-Papër dhe nuk duhej bërë bypass-i, sepse ka filluar që vitin e kaluar?
Dhe e dyta, unë nuk e shoh në projektbuxhetin, sa është vlera e investimit dhe sa është vlera e projektit të këtij bypass-i, se nuk e shikoj. Ju fare mirë na e keni dhënë lajmin dhe a mundet të na, ndoshta mund të jem dhe unë gabim, domethënë se nuk e di vlerën, por sa është vlera e projektit dhe sa është vlera e investimit që brenda 2026-ës juve pretendoni që ta përfundoni. Një pikë tjetër që kisha për ta sqaruar me ju, e nderuar, pse pas 13 vitesh ende nuk përfundon Rruga e Arbërit? S'ka përfunduar ende. Cilët kanë qenë shkaqet dhe pretendohet sepse s'ka përfunduar ende. Një pyetje tjetër e nderuar është, pse çmimet në Shqipëri janë më të larta në kostot e ndërtimit nëpërmjet procedurave të tenderimit, disa herë më të mëdha se ato të Bashkimit Europian?