Bardh Spahia: Gjyqi ndaj meje, i stisur politikisht! Lufta politike ishte interesi i paditësit
Në një deklaratë për mediat pas seancës gjyqësore, deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, e cilësoi procesin ndaj tij si një 'gjyq të stisur politikisht'.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë për orkestrimin e këtij procesi me qëllim dëmtimin e figurës së tij dhe të Partisë Demokratike.
Për të mbështetur pretendimin e tij, Spahia zbuloi një deklaratë të bërë në sallën e gjyqit nga vetë paditësi, Mark Molla, i cili sipas deputetit ka pranuar se 'interesi i tij ka qenë lufta politike'.
Kjo deklaratë, sipas Spahisë, dëshmon qartë se qëllimi nuk është drejtësia, por një sulm politik. Ai kritikoi ashpër shpërdorimin e taksave të qytetarëve për gjyqe të tilla, duke theksuar se këto fonde duhet të përdoreshin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Jua lexoj edhe njëherë sepse është shumë domethënës deklarata e tij. Ai është shprehur: ‘Nuk kam pasur interes, interesi im ka qenë lufta politike’. Kjo është thënë nga goja e paditësit,” theksoi Spahia, duke shtuar se kjo dëshmi fakton qartë përdorimin politik të procesit.
Spahia akuzoi më tej se paditësi ishte “shpërblyer nga përdoruesit e tij” menjëherë pas zgjedhjeve vendore, duke iu referuar shfaqjeve publike dhe fotografive të tij me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun aktual të Shkodrës, Benet Beci.
I pyetur nëse kjo “luftë politike” ishte në nivel lokal apo qendror, Spahia u përgjigj se presioni vinte nga të dyja nivelet. Ai përfundoi duke ritheksuar se procesi gjyqësor ndaj tij është “stimuluar dhe financuar politikisht”.