AMP pezullon Muçin që po lufton me jetën dhe zinxhirin komandues

Agjencia e mbikëqyrjes Policore ka reaguar një ditë pas vrasjes mafioze të ndodhur në Rinas, ku i plagosur rëndë mbeti një agjent i kësaj njësie dhe viktimë Gilmando Dani.

Drejtuesi i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj thotë se ka pezulluar nga detyra agjentin Muçi Shaljani dhe zinxhirin komandues.

Nga raportimet e bëra pas ngjarjes së rëndë, Muçi Shaljani është rekrutuar para 3 muajve nga ish-drejtori Artjon Saliasi dhe thuhet nuk ka marrë pjesë në asnjë aksion të AMP-së edhe para ngjarjes së djeshme.

Gjithashtu nga burime për SYRI-n, mësohet se ish-drejtuesi Artjon Saliasi është larguar nga AMP në momentin që Eduart Merkaj ka ardhur si drejtues i ri. 

Reagim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore: 

Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit "Nënë Tereza", ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve.