Atentati në Rinas/ Gazetari tregon si mungesa e pashpjegueshme e policisë u la rrugë të lirë autorëve
Paniku dhe frika kanë pushtuar zonën pranë rreth-rrotullimit të Rinasit pas atentatit të një dite më parë, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Sheqeri.
Në një raportim live për SYRI-n me moderator Arnold Karriqin, gazetari Klajdi Bodlli shpjegon se si gjurmët e breshërive të plumbave janë ende të dukshme në fasadat e bizneseve aty pranë, dëshmi e një ngjarjeje që sipas dëshmitarëve dhe punonjësve të zonës, mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda. S
Sipas tyre, ka qenë "fati dhe Zoti" që ka shpëtuar jetë të tjera nga plumbat.
Por përtej tmerrit të shkaktuar, ngjarja ka ngritur një pyetje të madhe: ku ishin forcat e policisë në momentin e sulmit? Zona ku ndodhi atentati njihet për praninë e vazhdueshme të patrullave policore, por në momentin kritik, ato mungonin plotësisht. Pamjet nga kamerat e sigurisë konfirmojnë se në perimetrin e ngjarjes nuk ka pasur asnjë efektiv policie, një mungesë që ende mbetet e pashpjegueshme.
Boddli shpjegon se në këtë vakum sigurie, të parët që ndërhynë ishin efektivët e Komisariatit të Policisë së Rinasit dhe mjekët e aeroportit, pavarësisht se ngjarja ndodhi jashtë juridiksionit të tyre të drejtpërdrejtë, që është perimetri i brendshëm i aeroportit.
‘Këto forca kanë siguruar vendin e ngjarjes, kanë lajmëruar Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit Muçi Sheqeri, i cili ishte i vetmi që jepte shenja jete, pasi Gilmando Dani kishte ndërruar jetë në vend. Vetëm më pas kanë mbërritur forcat speciale, Shqiponjat dhe grupet hetimore, të cilat kanë rrethuar zonën’, u shpreh Bodlli.
Mungesa e policisë në një pikë kyçe dhe në një moment kritik mbetet elementi kryesor që po hetohet, pasi mund të ketë qenë faktori vendimtar që u hapi rrugë autorëve të kryenin sulmin dhe të largoheshin nga vendngjarja.
Raportimi nga Rinasi i gazetarit të SYRI-t, Klajdi Bodlli:
Bodlli: Bizneset që janë këtu pranë, le të themi të gjithë janë të terrorizuar dhe të frikësuar nga ajo çfarë ka ndodhur. Sipas tyre, një pjesë e qytetarëve, por dhe punonjësve të këtyre bizneseve, kanë shpëtuar sepse i ka ndihmuar Zoti dhe fati, pasi breshëritë e plumbave, siç shikohet dhe nga pamjet që kemi marrë, janë në thuajse në të gjithë fasadën e bizneseve, jo vetëm në pjesën e lartësive më të ulëta ku është le të themi kati i parë i këtyre bizneseve, por dhe në pjesën e fasadës së lartë ka shenja plumbash, xhama të krisur, madje dhe pjesa përpara që është le të themi disi në krah të rreth rrotullimit të aeroportit të Rinasit, ka marrë plumba dhe një pjesë e xhamave të këtij biznesi janë dëmtuar.
Karriqi: Ti e ke parë dhe videon e momentit të atentatit ditës së djeshme. Ajo që është diskutuar dhe shumë gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe sot, është mungesa e një patrulle policie aty pranë që qëndron gjithmonë. Nga kamerat që ti ke parë, ka qenë një patrullë policie në ato momente, apo nuk ka patur fare? Çfarë ka ndodhur pra? Pse mungoi pikërisht në atë orar ata efektivët që qëndrojnë gjithmonë?
Bodlli: Në ato momente, nuk ka pasur, me sa duket nga pamjet e kamerave të sigurisë, të paktën në këtë perimetër që po flasim, që duken dhe pamjet e kamerave të sigurisë, flas gjithmonë për këtë perimetër që është rreth hapësirës së rrethrrotullimit, nuk ka pasur punonjës të policie, madje le të themi që sigurimin e parë të vendngjarjes dhe ndihmën e parë për personat të cilët janë qëlluar me armë zjarri, e i kanë ndërmarrë veprimet efektivët e Komisariatit të Rinasit, të cilët megjithëse Komisariati i Rinasit ka për kompetencë vetëm hapësirën brenda aeroportit ndërkombëtar, në momentin që ka ndodhur ngjarja, janë angazhuar për të bërë të mundur sigurimin e vendit të ngjarjes, për të lajmëruar drejtorinë e Tiranës. Gjithashtu kanë ardhur dhe pasi janë hapur dyert e mjetit Mercedes të Gilmando Danit, kanë ardhur dhe mjekët e aeroportit të Rinasit për t'i dhënë ndihmën e parë Muçi Sheqerit, pasi ai ishte njeriu që kishte dhe që jepte shenja jete, pasi sipas informacioneve Gilmando Dani ka ndërruar jetë në vend për shkak të plumbave dhe breshërisë së plumbave të lëshuar drejt tij. Ka qenë pikërisht mjekët e aeroportit të Rinasit dhe efektivët e Komisariatit të Rinasit të cilët kanë bërë le të themi sigurimin e vendit të ngjarjes dhe më pas kanë ardhur forcat e tjera të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të sektorit të vrasjeve, forcat Shqiponja, forcat e Rendit, të cilët kanë rrethuar të gjithë perimetrin duke krijuar vendin e ngjarjes dhe për të marrë më pas prova duke mbledhur pamjet e kamerave të sigurisë. Është e pashpjegueshme Arnold, megjithatë...
Karriqi: Domethënë, si është e mundur që në atë orë nuk ka pasur forca policie.
Bodlli: E thashë dhe ditën e djeshme, ndoshta autorët janë ndihmuar dhe nga fati apo nga orari sepse nuk ishte as qarkullim dhe le të themi bllokim të qarkullimit në rrethrrotullimin e Rinasit. Megjithatë, dhe orari, rreth orës 14:20 minuta kur ka ndodhur, ndoshta mund të ketë qëlluar duke qenë se është dhe orari që efektivët e Policisë së Shtetit ndërrojnë turne, mbaron turni i parë dhe vjen turni i dytë dhe kjo ndoshta mund të ketë krijuar le të themi një vakancë apo një boshllëk në zëvendësimin e efektivëve të policisë në të gjithë perimetrin e aeroportit të Rinasit, pasi zakonisht me, në të gjithë këtë aks nga ky rrethrrotullim deri në kthesën e Kasharit, ka prani të forcave të policisë, forcave të Rendit, forcave të policisë rrugore. Zakonisht gjithmonë një fugon i komisariatit të Vorës dislokohet në pjesën e urës së kthesës së Kasharit, ku qëndron një patrullë policie dhe herë pas here në segmentin në fjalë ka efektivë të policisë rrugore për të bërë të mundur dhe menaxhimin e trafikut. Megjithatë, siç e thashë, në atë çfarë duket nga pamjet e kamerave të sigurisë, në këtë perimetër nuk ka prani të forcave të policisë.