Vidhnin bizhuteritë e të vdekurve, 6 punonjës të bashkisë në hetim

Një skandal ka përfshirë Departamentin e Shërbimeve Funerale dhe të Varrezave në Milano, ku gjashtë punonjës janë vënë nën hetim për vjedhje dhe pranim të mallrave të vjedhura.

Sipas mediave italiane, punonjësit dyshohet se vidhnin bizhuteritë e kufomave gjatë përgatitjeve për varrim, ndërsa në një rast të veçantë dyshohet se i kanë hequr protezën dentare një gruaje që kishte humbur jetën në një aksident rrugor.

Hetimet nisën pas denoncimit të një të afërmi, i cili raportoi në bashki se bizhuteritë e të ndjerit ishin zhdukur nga trupi i tij. Ky sinjal alarmi çoi në një hetim të gjerë nga Ekipi i Ndërhyrjeve Speciale të Policisë Vendore, i cili zbuloi një seri vjedhjesh të ndodhura si në morgje, ashtu edhe në shtëpi funeralesh.

Deri më tani janë rindërtuar gjashtë raste konkrete, por hetuesit dyshojnë se numri i vjedhjeve mund të jetë shumë më i lartë, duke përfshirë edhe ngjarje të ndodhura përpara raportit fillestar.

Punonjësit e dyshuar mendohet se kanë shitur bizhuteritë e vjedhura – gjerdanë, vathë dhe byzylykë – në dyqane ari në Milano dhe zonat përreth, ndërsa policia ka mundur të gjurmojë faturat që përputhen me datat e vjedhjeve.

Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse në këtë rrjet janë përfshirë edhe persona të tjerë.