Dogjani: Shteti nuk po lufton krimin, por bashkëpunon me të
Duke analizuar atentatin mafioz në Rinas, eksperti i sigurisë Asllan Dogjani deklaroi se Shqipëria ndodhet në ditët më të errëta të saj përsa i përket rendit dhe sigurisë publike. Në studion e 'Kafe Shqeto' ai argumenton se ngjarja nuk është thjesht një dështim, por një dëshmi e qartë e kapitullimit të plotë të shtetit përballë botës së krimit.
Madje, Dogjani shkon më tej, duke e quajtur situatën jo një luftë mes shtetit dhe krimit, por një 'bashkëpunim dhe implikim të madh të shtetit me grupet kriminale'.
Sipas tij, një akt kaq i guximshëm dhe i mirëorganizuar, i kryer para komisariatit të policisë në Rinas, në një zonë me fluks të lartë dhe me rëndësi strategjike, nuk mund të ndodhte pa dijeninë dhe ndihmën nga brenda strukturave ligjzbatuese.
Ky nivel organizimi, thekson ai, tejkalon edhe aftësitë e vetë Policisë së Shtetit, duke lënë të kuptohet se autorët kishin siguri absolute se nuk do të pengoheshin.
Deklarata e plotë:
"Unë nuk mund të gjej fjalë ta përshkruaj situatën e djeshme, por edhe të përditshme që ndodh në Shqipëri. Unë e them me bindje që Shqipëria është në ditët më të errëta të saj, përsa i përket rendit dhe sigurisë publike.
Nuk mendon sepse s'e ka dhe idenë se çfarë bën, si ka shkuar në atë punë, por edhe është edhe problemi i propagandës që bëjnë, sepse ky shtet është vetëm me propagandë.
Por ajo që desha të them është që është në në ditët më të këqija përsa i përket mbrojtjes së sigurisë së jetës së qytetarëve, të pronës dhe për gjithçka.
Shteti në rastin më të mirë mund të themi që ka kapitulluar përballë krimit dhe kjo do të ishte, po them gjëja më e mirë në qoftë se ne do të themi që kapitulluam dhe hajde mblidhemi se çfarë do të bëjmë. Por realisht nuk është kapitullim, por është një bashkëpunim dhe një implikim i madh i shtetit me grupet kriminale.
Këtu mafia dhe krimi janë bashkë njëri me tjetrin, sepse nuk ka arsye dhe nuk ka mundësi që ta justifikojë që në mes të rrugës, në një vend ku është i kontrolluar, ku kalojnë pafund qytetarë, udhëtarë të huaj, shqiptarë, në mes të ditës, të ndodhë...
Po, po, para komisariatit të policisë, ku aty kalojnë policë gjatë gjithë kohës, të ndodhë një vrasje e tillë me tre persona apo katër të armatosur, kur drejtuesi i automjetit që priste një person me precedent penal, ishte punonjës i policisë, që kishte për detyrë të kontrollonte policët nëse shoqëroheshin...
Po. Tani, çfarë ndodh? Unë do ta shikoja në këto, në dy dy këndvështrime, por në radhë të parë do ta do ta shikoja si specialist i policisë së shtetit. Ky lloj organizimi, kjo lloj mënyre që e ku e kanë pritur, e kanë shoqëruar, kanë pasur informacion të sigurtë dhe policia e shtetit që ka 12.000 punonjës policie civile, oficerë nuk e bëjnë kaq perfekt. Dhe kjo lloj vrasje e tillë nuk mund të bëhet pa qenë të lidhur me punonjësit e policisë".