Gjykata e Lartë e SHBA-ve zgjat pezullimin, ndihma ushqimore për 42 milionë amerikanë mbetet në pritje
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të martën e 11 nëntorit, zgjati pezullimin e një urdhri gjyqësor që kërkonte nga administrata e presidentit Donald Trump të financojë plotësisht ndihmën ushqimore për 42 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta këtë muaj, në kushtet e mbylljes së qeverisë federale, edhe pse ligjvënësit po ndërmarrin hapa për t’i dhënë fund ngërçit.
Ky vendim i gjykatës i lejon përkohësisht administratës të vazhdojë të mbajë pezull rreth 4 miliardë dollarë nga Programi i Ndihmës Ushqimore Shtesë, i njohur si SNAP ose kuponët ushqimorë, shkruan Reuters.
Avokatët e administratës i thanë gjyqtarëve të hënën se përfundimi i mbylljes së qeverisë do ta eliminonte nevojën për të ndaluar zbatimin e urdhrit gjyqësor, ndaj zgjatja e pezullimit të lëshuar të premten nga gjyqtarja Ketanji Brown Jackson mund të jetë jetëshkurtër.
Gjyqtarja Jackson shkroi të martën se ajo do ta kishte refuzuar kërkesën e administratës për të zgjatur më tej pezullimin e urdhrit gjyqësor. Pezullimi i zgjatur është planifikuar të skadojë të enjten.
Senati amerikan të hënën miratoi një legjislacion kompromisi që do t’i jepte fund mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-ve, duke thyer një ngërç prej javësh që ka ndërprerë përfitimet ushqimore për miliona njerëz, ka lënë pa pagesë qindra mijëra punonjës federalë dhe ka shkaktuar kaos në trafikun ajror.
Përfitimet e SNAP-it u ndërprenë në fillim të muajit për herë të parë në historinë 60-vjeçare të programit. Përfituesit janë detyruar t’i drejtohen bankave ushqimore tashmë të mbingarkuara dhe të bëjnë sakrifica si heqja dorë nga medikamentet për të përballuar buxhetet e ngushta. Bankat ushqimore janë organizata jofitimprurëse që mbledhin, ruajnë dhe shpërndajnë ushqime për njerëzit në nevojë. Ato funksionojnë si një lloj “depo qendrore” e ndihmës ushqimore.