Plagosje me thikë në Vlorë/ Arrestohen dy persona, një 30-vjeçar përfundon në spital

Një konflikt për motive të dobëta në lagjen “24 Maji” të Vlorës ka përfunduar me plagosjen e një 30-vjeçari dhe arrestimin e dy personave nga Policia.

Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 10 nëntor 2025, ndërsa menjëherë pas saj, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë kanë organizuar operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;

-A. L., 23 vjeç, banues në të njëjtën lagje, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se mes këtyre personave kishte pasur më herët një konflikt për motive të dobëta, i cili ishte përshkallëzuar në përleshje fizike dhe përdorim të armëve të ftohta.
Gjatë sherrit, E. L. ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit dhe të qafës shtetasin B. S., 30 vjeç, i cili është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, policia ka sekuestruar një armë gjahu pa leje dhe një thikë, e dyshuar si e përdorur në ngjarje, ndërsa në automjetin e A. L., me të cilin u transportua i plagosuri drejt spitalit, u gjet një tjetër mjet prerës.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme hetimore.