I kërkuar në të gjithë Evropën, shqiptari arrestohet në aeroportin e Veronës sapo kishte mbërritur nga Tirana

Një 32-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane, sapo ai mbërriti nga Tirana në Aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës pasi ndaj tij kishte një urdhërarrest ndërkombëtar për trafik kokaine.

Gjatë kontrollit të pasaportave, oficerët e Policisë Kufitare zbuluan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Bashkuar për trafik ndërkombëtar kokaine.

I riu ishte pjesë e një organizate kriminale që vepronte në bregdetin jugor të Anglisë, ku luante rol kyç në përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës. Hetimet kanë treguar se 32-vjeçari jo vetëm paketonte kokainën, por edhe drejtonte anëtarë të tjerë të grupit.

Gjatë operacioneve të policisë në Mbretërinë e Bashkuar janë sekuestruar mbi 28 kilogramë kokainë si dhe rreth 175 mijë paund (rreth 200 mijë euro) para të gatshme.

Nga hetimet rezulton se midis qershorit dhe dhjetorit 2024, shqiptari kishte përdorur llogarinë e tij në eBay për të porositur materiale paketimi, sasi të mëdha acetoni dhe pulla druri me dizajne të ndryshme. Disa prej stampave përputheshin me ato të gjetura në blloqet e kokainës të sekuestruara.

 32-vjeçari u dërgua në burgun e Veronës, ku do të qëndrojë në pritje të ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar. /Larena.it/