‘500 euro të të zhbllokoj makinën’/ Pezullohet shefi i trafiqeve në Elbasan, nis hetim administrativo-penal

Policia e Elbasanit ka pezulluar nga detyra shefin e trafiqeve në Drejtorinë Vendore, pasi kërkoi 500 euro në këmbim të zhbllokimit të makinës.

Në reagimin e saj zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan bën me dije se është pezulluar menjëherë nga detyra punonjësi i Policisë, komisari, O. M., me detyrë shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Elbasan, deri në përfundim të hetimit administrativ e penal.

Policia bën të ditur gjithashtu se lidhur me rastin e komisarit të trafiqeve, po bashkëpunohet me AMP, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që trajtonte një rast të dyshuar abuzimi me detyrën të shefit të Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ju bëjmë me dije se:

Është pezulluar menjëherë nga detyra punonjësi i Policisë, komisar O. M., me detyrë shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Elbasan, deri në përfundim të hetimit administrativ e penal.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 121, pika d, të Ligjit nr. 82, viti 2024, “Për Policinë e Shtetit”, ka nisur menjëherë hetimin administrativ.

Po në lidhje me rastin, po bashkëpunohet me AMP, meqenëse jemi në kushtet e dyshimit të kryerjes së veprës penale nga punonjësi i Policisë, O. M., ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.

Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën nga punonjësit e saj dhe i fton sërish ata të vijojnë t’i raportojnë çdo rast të tillë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.