Zjarr në një banesë në Memaliaj, shpërthen bombula e gazit

Një zjarr ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në lagjen nr. 5 të qytetit të Memaliajt, duke përfshirë pjesërisht tendën e ballkonit dhe disa orendi shtëpiake. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit Aristille Laska, i cili jeton i vetëm.

Zjarri dyshohet të ketë shpërthyer pas një incidenti me bombolën e gazit, e cila ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm. Në momentin e ngjarjes, Laska nuk ndodhej në banesë, pasi kishte lënë ushqimin për gatim dhe ishte larguar për pak kohë. Ndërkohë, komshinjtë, që panë tym të dendur duke dalë nga ballkoni, njoftuan menjëherë shërbimin zjarrfikës.

Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash dhe arritën të shuanin flakët, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në banesat përreth. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, por për pasojë, disa orendi shtëpiake janë dëmtuar.

Grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar shkaqet e sakta të shpërthimit, ndërkohë që banorët e lagjes janë shprehur të alarmuar për situatën.