Turistët vizitojnë edhe Medelinin/ Pse nuk flet media për narkoshtetin as pas ekzekutimit mafioz në Rinas?

Këto ditë mediat spanjolle po raportojnë gjerësisht për goditjen e një grupi mafioz shqiptar, që furnizonte me kokainë dhe hashash jo vetëm Spanjën, por mbarë Europën. Goditja cilësohet historike, pasi banda e shqiptarëve ishte në gjendje të rekrutonte që nga avokatët e kryepolicët e deri tek politikanët.

Nëse kjo bandë ishte në gjendje të blinte tre hotele në Spanjë për të pastruar paratë e krimit, thjesht mund të imagjinohet se çfarë mund të bëjnë paratë e drogës në Shqipëri.

Nuk dihet se çfarë bënin në Spanjë Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri, por pak pasi shkelën tokën shqiptare, ata u ekzekutuan barbarisht, në mënyrë mafioze, në atë që duhej të ishte zona më e sigurtë në mbarë Shqipërinë.

Dani dhe miku i tij, një zyrtar që duhej të kontrollonte policët, u qëlluan pranë Rinasit, në një përplasje që rrezikoi njerëz dhe biznese përreth. Burimet thonë që Dani, pas lirimit nga Gjykata e Posaçme, kishte vazhduar aktivitetin e bandës së njohur të Emiljano Shullazit.

Krimi i rëndë ndodhi në kohën kur kreu i opozitës, Sali Berisha, po fliste në një takim me drejtuesit e PD në rrethe, pikërisht për narkoshtetin. Sipas tij, narkoshteti i Edi Ramës është forma më e rrezikshme e diktaturës autoritare.

Nuk kishte mënyrë më të qartë për të ilustruar ekzistencën e narkoshtetit se sa ky krim i rëndë i ndodhur në mes të ditës.

E megjithatë, mediat nuk e përmendën fare narkoshtetin, pavarësisht raportimeve intensive për krimin e rëndë.

Pati prej tyre madje që ishin të shqetësuara se ky krim ndodhi në një zonë me turistë dhe kjo do të dëmtojë imazhin e shqiptarëve në sytë e tyre.

Për cilët turistë e kanë fjalën?

Para një muaj, një shqiptar i quajtur Artur Tushi u ekzekutua në Medelin të Kolumbisë, shumë pranë një qendre tregtare dhe një zone të frekuentuar nga turistët.

Kryebashkiaku i Medelinit, qytetit të Eskobarit dhe simbolit të narkosve, tha i alarmuar se mafia shqiptare kërkon të marrë kontrollin në parkun Lleras, një zonë e njohur për të huajt.

Po si mundet që mafia shqiptare të arrijë në një nivel të tillë që të kontrollojë një zonë të lakmuar në qendër të Medelinit?

Një zyrtar kolumbian sugjeroi se ata janë shumë të fortë pasi janë në gjendje të pastrojnë paratë lirisht në vendin e tyre.

Nuk është çudi që gjatë gjykimit të një bande shqiptare në Belgjikë, drejtuesit u ankuan se nuk duhet të hetohen pasi paratë i kanë pastruar në Shqipëri.

“Le të na hetojnë aty”, thanë ata.

Dhe nuk kanë faj, këtu e marrin fuqinë dhe prandaj turren nëpër Europë e botë duke bërë kërdinë.

Portali investigativ francez Blast shkruante se krimi shqiptar e merr fuqinë tek vota e blerë për llogari të Edi Ramës dhe partisë së tij.

Nuk ka asnjë dyshim. Aty lind çdo narkoshtet.

Prandaj mediat nuk flasin kurrë për këtë temë.