SYRI TV/ Projekti TID, banorët protestë te bashkia. Banorët e irrituar: I kemi lënë Zotin lartë
Shembja e banesave në qendër të Durrësit për shkak të projektit TID ka detyruar banorët të protestojnë para bashkisë. Ata deklarojnë se shembja është bërë selektive dhe vlera e dëmshpërblimit është aq e ulët sa nuk mund të sigurojnë një shtëpi tjetër. Ata shprehen se nuk do të lejojnë që ky projekt të implementohet derisa të gjejnë një zgjidhje.
Banorët e Durrësit, të prekur nga projekti TID, kanë protestuar para bashkisë ndërkohë që në mbledhjen e këshillit po diskutoheshin detajet e projektit që parashikon shembjen e banesave të tyre në qendrën e qytetit bregdetar. Ata thonë se shembjet janë bërë selektive dhe dëmshpërblimi që ofrohet për shtëpitë është aq i ulët sa i lë ata në qiell të hapur.
Megjithatë, protesta e tyre nuk ka pasur ndikim, pasi këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar vazhdimin e projektit, duke shkaktuar irritimin e banorëve që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë.
Përfaqësuesja e banorëve deklaroi se projekti ka ndryshuar nga rikonstruksion në shembje, ndërkohë që një anëtare e këshillit bashkiak u shpreh se projekti është i huaj dhe ata nuk mund të bëjnë ndryshime.
Ndërkaq, Ardian Muka, këshilltar i PD-së në këshillin bashkiak të Durrësit, ka dalë në mbështetje të banorëve.