Atentati ndaj Gilmando Danit, automjeti ku ndodhi ekzekutimi dërgohet për ekspertizë
Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz i ndodhur pasditen e sotme pranë zonës së Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa u plagos rëndë Muçi Shaljani Sheqeri, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Sipas burimeve zyrtare, automjeti ku u ekzekutua Gilmando Dani është marrë nga grupi hetimor dhe po i nënshtrohet ekspertizës balistike dhe kriminalistike për të përcaktuar mënyrën e ekzekutimit dhe drejtimin e zjarrit.
Ndërkohë, kanë dalë pamjet e para nga vendngjarja, ku shihet mjeti i goditur me breshëri plumbash pranë një kompleksi servisesh në afërsi të aeroportit të Rinasit.
Vetëm pak orë pas atentatit, forcat e policisë kanë zbuluar në një përrua pranë aksit Fushë-Krujë-Krujë, midis fshatrave Halil dhe Zallë, një automjet të djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas krimit. Brenda mjetit të shkrumbuar janë gjetur tre armë kallashnikov dhe një pistoletë, që mendohet të kenë shërbyer në ekzekutim.
Burime policore bëjnë me dije se zona ku u gjet automjeti është me terren të thepisur dhe e vështirë për t’u arritur me makinë, çka tregon se autorët kanë pasur njohuri të mirë të zonës dhe janë larguar në këmbë në drejtim të maleve përreth.
Armët e gjetura, si dhe mbetjet e mjetit të djegur, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë. Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa pistat kryesore lidhen me përplasjet midis grupeve kriminale që veprojnë në zonën e Tiranës dhe Fushë-Krujës.