Messi hap zemrën: dashuria për Barcelonën, zhgënjimi në Paris dhe ëndrra për t’u kthyer
Lionel Messi është rikthyer të flasë për ndjenjat që e lidhin ende me Barcelonën, klubin ku u rrit, u bë legjendë dhe përjetoi momentet më të lavdishme të karrierës. Në një intervistë të sinqertë për “Diario Sport”, argjentinasi rrëfen nostalgjinë për vitet e kaluara në “Camp Nou”, mënyrën e dhimbshme të largimit, periudhën e vështirë në Paris dhe qetësinë që ka gjetur në Shtetet e Bashkuara. Messi flet me emocion për kujtimet, miqtë e vjetër, Botërorin që e pret dhe dëshirën e zjarrtë për t’u kthyer një ditë në Barcelonë, vend që ai e quan shtëpi të përjetshme.
Si e përjeton dashurinë që të vjen nga Barcelona?
Është diçka spektakolare. Çdo gjë që më vjen nga Barcelona, nga njerëzit, nga ajo periudhë që kemi përjetuar bashkë, gjithmonë më bën të ndiej pak nostalgji. Dhe shumë emocion.
Kjo nuk është një intervistë klasike, por më shumë një bisedë e frymëzuar nga çmimi që “SPORT” do të të japë javën e ardhshme si lojtari më i dashur në historinë e Barcelonës. Dhe kjo ndihet në emocionin tënd sa herë të rikthehen kujtimet...
E vërteta është se e ndiej shumë mungesën e atyre momenteve. Ndoshta tani i shijoj më shumë se kur po ndodhnin, sepse atëherë isha i përfshirë në përditshmëri, në ritmin e ndeshjeve, në mendimin për sfidën e radhës, pa pasur kohë të shijoja çfarë po arrinim. Sot, duke e parë me qetësi dhe me distancë, pas disa vitesh, e përjeton ndryshe, më thellë.
Dhe i shijon tani ato që kanë ndodhur atëherë?
Më pëlqen t’i shikoj, sigurisht, sepse ishin gjëra shumë të rëndësishme. Pamjet që u shfaqën në video ishin momente të veçanta, kur ndodhën gjëra të mëdha. Janë kujtime të bukura për t’u mbajtur mend.
Njerëzit nuk e harrojnë këtë, kjo është e sigurt...
Më kujtohet se ta kam thënë edhe më parë: mbeta me një ndjenjë të çuditshme pas largimit, për mënyrën si ndodhi, për faktin që vitet e fundit i luajta pa tifozë për shkak të pandemisë. Pas gjithë asaj jete në Barcelonë, nuk u largova ashtu siç e kisha imagjinuar, ashtu siç e kisha ëndërruar. E kisha menduar karrierën time evropiane të plotë te Barça dhe më pas të vija këtu ku jam tani, sepse ky ishte plani im, dëshira ime. Por lamtumira doli pak e çuditshme për shkak të situatës. Megjithatë, dashuria e njerëzve do të mbetet gjithmonë, për shkak të asaj që përjetuam bashkë.
Një periudhë shumë e gjatë...
Isha 16 vjet në ekipin e parë, por në total 20 ose 21 vjet që kur mbërrita në Barcelonë në moshën 12-13 vjeç. Është shumë kohë, shumë jetë, dhe dashuria do të mbetet gjithmonë.
Vitet kalojnë dhe vijnë lojtarë e shpresa të reja, por ajo dashuri dhe ai pasion për atë që ke lënë pas mbeten. Ke bërë përshtypje te shumë njerëz, madje disa e kanë tatuazh emrin ose imazhin tënd...
Po, kështu ndodh gjithmonë në futboll. Vijnë lojtarë të rinj, por historia nuk harrohet kurrë, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e klubit. Ka shumë njerëz të rëndësishëm që e kanë ndihmuar klubin të rritet. Kujtimet mbeten gjithmonë të bukura dhe nuk harrohen kurrë.
Cili është momenti më i lumtur?
Vështirë të zgjedh vetëm një. Falë Zotit kam përjetuar shumë momente të bukura. Zakonisht, kur flasim për lumturi, mendojmë për tituj e arritje. Por gjashtë trofetë me Guardiolën ishin të jashtëzakonshëm, po ashtu edhe Liga e Kampionëve e fundit me Luis Enrique-n. Nuk mund të zgjedh vetëm një.
Ka pasur shumë përvoja...
Do të marr me vete çdo gjë që kam përjetuar, gjithçka që jam rritur si njeri dhe si lojtar. Kur shoh pamje të asaj kohe, më kthehen menjëherë kujtimet. I marr të gjitha me vete.
Lumturia nuk vjen vetëm nga titujt. Nëse nuk do të shikoje fitoret, çfarë do të të mbetej?
Vetë fakti që isha pjesë e klubit, që erdha fëmijë, u rrita dhe kalova gjithë jetën time në Barcelonë. Jam mirënjohës Zotit që më çoi atje kur isha fëmijë, për lindjen e fëmijëve të mi në qytet, për gjithçka që më dha ai vend. Nuk është vetëm klubi, por edhe vetë qyteti që do të mbetet gjithmonë pjesë imja.
E ndjek ende ekipin? E di që edhe në Paris i ndiqje...
Po, sigurisht. Madje tani jemi disa bashkë këtu dhe flasim shpesh për gjithçka që ndodh te klubi, për rezultatet e ndeshjet.
Në Barcelonë ishe i lumtur, në Paris jo aq shumë. Tani dukesh më mirë...
Ndoshta duket sikur Parisi ishte “ferr”, por nuk ishte ashtu. Kur them që nuk kalova mirë, nuk është se nuk ndihesha mirë duke luajtur futboll, por nuk ndihesha mirë me veten. Si familje, përjetuam një eksperiencë të mirë, qyteti është i mrekullueshëm, por ishte hera e parë që largoheshim nga Barcelona dhe gjithçka ishte e re. Prandaj ishte e vështirë. Por nuk ishte për shkak të ndonjë lëndimi apo problemi konkret. Thjesht, nuk e ndieja veten mirë çdo ditë. Ndërsa këtu (në Miami) jemi mirë, e shijojmë jetën, është shumë e ngjashme me atë që kishim në Castelldefels, me klubin afër, shkollën e fëmijëve pranë, gjithçka komode.
Si je përshtatur me MLS-në?
E shijojmë jetën e përditshme në mënyrë më të qetë, pa aq shumë presion. Sigurisht, duam të fitojmë, por presioni është ndryshe. Kemi më shumë kohë për familjen, për fëmijët, për të qenë në shtëpi. Nuk e lë futbollin të më ndikojë si më parë në humor. Kjo më ka bërë të jetoj ndryshe dhe më qetë.
Megjithatë, në moshën tënde, u shpalle golashënuesi më i mirë i MLS-së. Çfarë të motivon ende?
Në fund, është ajo që kam bërë gjithë jetën, luaj futboll, konkurroj, nuk më pëlqen të humbas. Sa herë dal në fushë, e bëj për të fituar. Ishte sfidë për mua dhe për djemtë që erdhën me mua. Erdhi momenti të ndihmonim një klub të ri të bëhej konkurrues dhe besoj se e arritëm.
Jam i lumtur me këto vite dhe sa kohë të ndihem mirë fizikisht, do të vazhdoj të njëjtën gjë. Kur të ndiej se nuk mundem më, do të ndalem. Por tani jam mirë dhe e shijoj.
Dy shokë të tu po të largohen: Busquets dhe Alba...
Po, shumë e çuditshme. Sidomos rasti i Jordi-t, sepse nuk e prisnim. Me Busin kishim folur më parë, ai e kishte paralajmëruar. Por Jordi na e tha një ditë në dhomën e zhveshjes, papritur, pa e ditur askush më parë. Ishte befasuese. Më vjen keq, sepse përveç futbollit, jemi edhe miq të afërt. Fillimisht erdhëm bashkë në Miami, ndaj kjo e bën edhe më të veçantë.
Por po, koha ikën dhe fundi i karrierës afrohet për të gjithë, sepse jemi të së njëjtës gjeneratë.
Duke parë nga e ardhmja e afërt, Botërori është pranë. Je i emocionuar?
Sigurisht. Është e veçantë të luash me kombëtaren, aq më tepër në një Botëror, sidomos pasi e fituam. Por, siç kam thënë, nuk dua të jem barrë. Dua të ndiej se jam mirë fizikisht dhe se mund të ndihmoj. Kampionati ynë është ndryshe nga ai evropian, kemi një periudhë përgatitjeje dhe pak ndeshje deri në Botëror. Do ta shohim ditë pas dite si ndihem. Por natyrisht, Botërori është diçka unike dhe jam i emocionuar.
Së fundi, a dëshiron të dërgosh një mesazh për botën e futbollit, veçanërisht për tifozët e Barçës?
Kam shumë dëshirë të kthehem atje. Na mungon Barcelona, si mua, ashtu edhe fëmijëve e Antonelës. Flasim shpesh për t’u kthyer për të jetuar atje. Kemi shtëpinë tonë, gjithçka. Dua të kthehem në stadium kur të përfundojë ndërtimi, sepse që kur u largova për në Paris nuk jam kthyer. Do të jetë emocionuese të hyj sërish, edhe pse do të jetë stadium i ri. Jam mirënjohës për gjithë dashurinë që kam marrë dhe mund të them vetëm: faleminderit.