VIDEO/ Logu: Grupet e fuqishme kriminale kanë mbështetjen e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit
Juristi Marash Logu, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar atentatin e ndodhur sot në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmano Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Logu deklaroi se çdo grup i fuqishëm kriminal në vend ka mbështetjen e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit.
‘Çdo grup kriminal i fuqishëm që kryente vrasje, trafik droge, pastrim të parave në ekonomi, ndërtim e me radhë, kishte pjesë përbërëse të tij drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Pra, nuk kemi parë deri më sot një grup të fuqishëm kriminal që të mos ketë mbështetje nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit,’ u shpreh Logu.
Sipas tij, ngjarja e sotme në Rinas tregon nivelin e lartë të inkriminimit të policisë, e cila duket e lidhur me të dyja palët e përfshira.
‘Edhe ngjarja e sotme tregon në fakt për nivelin e lartë të inkriminimit të policisë, e parë kjo në të dy drejtimet, qoftë dhe nga krahu i viktimës, se nuk ka shpjegim tjetër se çfarë kërkon një zyrtar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me një eksponent, jo thjeshtë të themi mediatik, por e provuar edhe nga vendimet gjyqësore që është një eksponent i krimit të organizuar,’ tha ai në SYRI TV.
Logu shtoi se edhe mënyra se si është kryer atentati në një zonë të konsideruar me siguri të lartë, ngre dyshime për mbështetje logjistike dhe informative ndaj autorëve.
‘Edhe atentati i kryer në atë zonë, që supozohet me nivel të lartë sigurie dhe prezencë të shtuar si të shërbimeve informative, policisë dhe agjentëve privatë të ruajtjes së zonës, tregon në fakt se ka pasur një lloj mbështetje, qoftë në informacion dhe logjistikë që i ka bërë ata të guxojnë të ndërmarrin atë veprim që kanë bërë sot. Në atë zonë, ngado që mund të kishin marrë drejtim viktimat, është shumë e qartë se mund të ishte kudo tjetër ai atentat dhe mund të ishte më e thjeshtë në pikëpamje të largimit, zhdukjes së gjurmëve etj.,’ deklaroi ndër të tjera, Marash Logu në SYRI TV.