Skeda e atentatit mafioz në Rinas - Kush ishte Gilmando Dani, miku i afërt i Emiljano Shullazit. Shoferi i tij ishte agjent i AMP-së

SYRI TV

Viktima e atentatit të kësaj të marte, Gilmando Dani, njihej si mik i afërt i Emiljano Shullazit. Ai ishte dënuar në vitin 2018 me 12 vite burg si pjesëmarrës në grupin e Shullazit, por ishte liruar nga qelia një vit më parë. Këtë të martë Gilmando Dani sapo kishte mbërritur në Rinas nga Spanja, ndërsa e priste shoferi Muçi Shaljani, i cili rezulton se është punonjës i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, institucion në varësi të ministres Albana Koçiu.

Gilmando Dani, që mbeti i vrarë në atentat mafioz pranë aeroportit Nënë Tereza në Tiranë, është një emër i njohur për drejtësinë Shqiptare. Ai njihet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Emiljano Shullazit, ndërsa ishte cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë për shkak të ekspozimit të tij në ngjarje të përbashkëta me Shullazin. Dani la qelinë e burgut një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal. Ai ishte një nga personat e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e katër efektivëve të policisë në Durrës, nga Dritan Dajti. Në vitin 2009, për këtë ngjarje, ndaj Gilmando Danit u kryen disa kontrolle në banesë, ndërsa ai mohoi akuzat për përfshirjen në vrasjen e katër policëve.

Ndërsa, në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Në prill të vitit 2011, Gilmando Dani u shoqërua në polici, pasi ishte së bashku me Emiljano Shullazin kur pengoi zhvillimin e një mitingu të PS në kryeqytet. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”. Më pas, arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.

Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi. Gjithashtu ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe më 2015.  Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018, si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe më pas u lirua në vitin 2023 pasi kreu 3/4 e dënimit.

Gilmando Dani i kishte shpëtuar më herët edhe dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazi. Gilmando Danit iu bë atentat në aeroportin e Rinasit, vetëm pak minuta pasi kishte mbërritur në Tiranë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit i cili mbeti i plagosur, shtetasi Muçi Shaljani, prej tre muajsh ishte emëruar si agjent në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë. kjo gjë e rëndon dhe më tepër ngjarjen, pasi agjenti i AMP-s, vartës direkt i Ministres së Brendshme Albana Koçiu, punonte gjithashtu edhe si shofer Gilmando Danit.