Siguria publike në mëshirë të fatit, pasojat që lanë plumbat gjatë atentatit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani
Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Rinas, ku mbeti i vrarë shtetasi Gilmando Dani, ndërsa u plagos një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Burime ekskluzive për Syri TV kanë siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku duken qartë pasojat e atentatit të përgjakshëm. Sipas të dhënave të para, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku kallashnikov në drejtim të automjetit ku ndodheshin Dani dhe agjenti i AMP-së.
Plumbat e shumtë kanë përshkuar zonën, duke goditur edhe bizneset përreth dhe rrezikuar jetën e qytetarëve të thjeshtë që ndodheshin aty pranë. Në pamjet e siguruara shihen xhama të thyer, mure të dëmtuara nga breshëritë e armëve, duke dëshmuar për rrezikun që u është kanosur kalimtarëve dhe punonjësve të zonës.
Ngjarja ngre sërish pyetje serioze për nivelin e sigurisë publike, në një kohë kur atentatet e tilla zhvillohen në mes të ditës dhe në zona të banuara, duke e lënë rendin publik në mëshirë të fatit.
Autoritetet janë vënë në kërkim të autorëve, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati tronditës.