SPAK çon për gjykim avokatin Logu, akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj drejtësisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen penale në ngarkim të avokatit Besart Logu, i akuzuar për “korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas hetimeve të SPAK, Logu dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 8 mijë euro nga një klient i tij në këmbim të ndikimit te prokurorë, gjyqtarë dhe ekspertë që po shqyrtonin një çështje penale në Tiranë. Shuma është dorëzuar nga një agjent i infiltruar, ndërsa hetimet kanë provuar se pagesa nuk kishte lidhje me shërbimet ligjore, por ishte përfitim i parregullt për të ndikuar në një vendimmarrje gjyqësore që synonte lirimin nga burgu të klientit të tij.
SPAK thekson se, edhe pse rezultati i premtuar nuk u realizua, vetë kërkesa dhe marrja e përfitimit të parregullt përbën kryerjen e plotë të veprës penale të parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
Njoftimi zyrtar i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 11 nëntor 2025, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, çështjen penale nr. 242/2024, në ngarkim të të pandehurit Besart Logu.
Çështja është regjistruar më 27.11.2024 për veprat penale:
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, dhe
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Procedimi u regjistrua pas kallëzimit të shtetasit me iniciale, S.C dhe është ndjekur me hetime proaktive duke u mbështetur në metoda speciale të hetimit:
Të dhënat e hetimit
Nga provat e grumbulluara, ka rezultuar se i pandehur Besart Logu ka kërkuar dhe më pas ka marrë, në datën 13 dhjetor 2024, shumën prej 8000 eurosh, me qëllim ndikimin tek prokurori, gjyqtari dhe ekspertët kontabël që kishin në shqyrtim çështje penale, në ngarkim të klientit të tij, shtetasit S.C., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm,Tiranë.
Klienti i tij akuzohej për veprat penale, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.
Shuma është dorëzuar nga agjenti i infiltruar dhe është marrë nga i pandehuri kundrejt premtimit për të liruar klientin e tij të arrestuar. Rezultatet e hetimeve provojnë se shuma prej 8000 eurosh nuk është marrë si pagesë për shërbimet ligjore të ofruara si avokat, por si përfitim i parregullt, me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarët e drejtësisë, në këmbim të daljes nga burgu të klientit të tij, fakt i cili nuk ndodhi, bazuar mbi hetimet e kryera.
Nga analiza e provave, Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se i pandehuri Besart Logu ka konsumuar elementët e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
Kjo vepër penale është formale dhe për kyerjen e saj nuk kërkohet realizimi i pasojës së premtuar (p.sh. lirimi nga burgu apo lehtësimi i akuzave), por mjafton kërkimi ose marrja e përfitimit të parregullt me këtë pretendim.