Nga restaurim në prishje/ Si u ndryshua fshehurazi projekti që kërcënon banorët e Durrësit

Një projekt i nisur për restaurim dhe rikonstruksion në Durrës ka përfunduar duke kërcënuar banorët me prishje dhe shpronësim, pas një sërë ndryshimesh thelbësore të bëra në minutën e fundit dhe pa transparencën e duhur. Përfaqësuesja e banorëve e cila ishte në takim në Bashkinë e Durrësit, tha për mediat se se në këtë projekt shkeljet janë të rënda nga ana e bashkisë dhe enteve të përfshira.

Në qendër të debatit ishte përgjigjja e juristes së bashkisë, e cila pretendoi se për projektin ishin kryer konsultime publike gjatë viteve 2021-2022. Ky pretendim u hodh poshtë me forcë nga përfaqësuesja e banorëve, e cila paraqiti prova se ndryshimi thelbësor i projektit, që e shndërroi atë nga restaurim në plan për prishje, ishte bërë në Mars të vitit 2024, vetëm një muaj para miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).

Sipas denoncimit, Këshilli Bashkiak nuk ka qenë në dijeni ose ka anashkaluar ndryshimet rrënjësore, duke dështuar të mbrojë interesat e qytetarëve.

Përfaqësuesja e banorëve në Durrës: Juristja e bashkisë jep një përgjigje që ne i dëgjojmë shumë shpesh nëpër materiale tona. Është një projekt për zhvillimin e Durrësit, është një projekt që është konsultuar në 2021-shin, në 2022-shin. Atëherë për dijeni, meqë nuk m'u dha mundësia, duke qenë që s'jam anëtare e Këshillit Bashkiak, meqë s'jam anëtare e Këshillit Bashkiak, po i përgjigjem zonjës juriste. Juve na flisni për për konsultime në 2021-shin, 2022-shin. Kur mund t'ju vë në dispozicion atë hartën që kemi printuar ne, që është, është bërë nga studio e projektit në i treti 2024. Ju lutem. Domethënë, ndryshimi i fundit i projektit, është bërë një muaj, një muaj para aprovimit në KKT.

Si paska konsultim një projekt që është firmosur një muaj para aprovimit? Dhe pyetja jonë ishte konkrete, sa ka dijeni Këshilli Bashkiak për një projekt të tillë? Sepse ne nuk kemi vënë në dyshim projektin, kemi vënë në dyshim procedurat dhe ndryshimet që janë bërë deri në minutën e fundit, që kanë çuar në prishje. I kërkuam informacion për konsultimin publik dhe i kujtoj asaj juristes, e cila më citoi të gjitha ligjet, por jo atë ligjin që e ka pikërisht në plan menaxhimi, 169, për dijeni, e ka në plan menaxhimi dhe thotë, këta banorë duhet t'i kishe marrë një nga një me firmë, t'i kishe pyetur, t'i kishe konsultuar, të tentoje të hyje në marrëveshje.

Në qoftë se ata nuk duan, ti nuk mund t'i marrësh pronën me zor. Ka disa faza të cituara në planin e menaxhimit që kanë aprovuar pikërisht këta. Po jo, zonja e nderuar juriste nuk citoi këtë. Citoi të gjitha ligjet përveç kësaj. Pra po ju kujtoj që konsultim 2021-shi me një projekt që na shpronëson në 2025-ën, më duket se jemi shumë larg në kohë. Pra, argumenti i konsultimit me publikun, e kemi thënë shumë herë, po e themi prapë. Nuk janë prezantimet e projektit konsultime me, me publikun.

Ndaj, ky është një nga elementët e rëndë të shkeljeve dhe të projekteve që ata bëjnë vetë. Një nga argumentat që u ngrit këtu po u ngrit dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, megjithëse nuk ju la fjala, është si u katandis ky projekt nga restaurim rikonstruksion në prishje? Dhe kjo është thelbi i projektit. Ky projekt ka degraduar dhe e vetmja gjë që na pohoi juristja e bashkisë ishte që ky projekt na vjen nga fondacioni i huaj, që na vjen nga të tjerët dhe ne e pranojmë pa kushte. Dhe këtë e thashë që në fillim të fjalës. Ne s'kemi të drejtë të vëmë dorë mbi këtë projekt. Më fal, këtu në këtë, në këtë qendër, ka alienë apo njerëz? Këta njerëz janë për të dhënë mendime, këta njerëz janë për të pyetur dhe projektet kanë gabime sa të duash gjithmonë, deri në momentin e fundit konsultohen. Gjëja që nuk po bën kjo administratë dhe që ja kërkuam dhe Këshillit Bashkiak me kompetencat që ka, është pikërisht kjo, përse nuk ushtroni kompetencat e juaja?