'Durrësi pa durrsakë' – Banorët ngrihen kundër projektit të Bashkisë: Po na shpronësojnë padrejtësisht!

Banorët e Durrësit kanë protestuar para godinës së Bashkisë, duke kundërshtuar një projekt që parashikon shembjen e banesave të tyre. Me thirrjet "të rishikohet projekti", qytetarët akuzojnë autoritetet lokale për veprime selektive dhe mashtrim, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të shembjeve.

Një nga protestueset u shpreh se projekti po e bën "Durrësin pa durrsakë" dhe po zbatohet në mënyrë selektive. Ajo hodhi poshtë pretendimet e zëvendëskryetarit të Bashkisë, Elio Jani, se ishin mbajtur takime dhe ishte rënë dakord me banorët.

“Të vijë poshtë Elio Jani e të shohim me kë ka qenë. Ne nuk jemi takuar me askënd”, deklaroi ajo, duke e quajtur procesin një "masakër".

Protestuesit denoncuan një rast të dyshuar të konfliktit të pastër interesi. Sipas tyre, ndërkohë që banesat e tyre do të shemben, shtëpia e ish-drejtorit të Ujësjellësit, Spartak Kovaçi, është shënuar si objekt që nuk do të preket.

Ata theksuan se një e afërme e tij, Xhilola Doçi, është anëtare e Këshillit Bashkiak, çka ngre dyshime të forta për klientelizëm dhe favorizim. “Ndërtesat brenda truallit të saj cilësohen si me qira, ndërsa shtëpia e tij nuk prishet”, tha një tjetër protestues.

Sipas dëshmive të qytetarëve, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, zëvendëskryetari Jani ka pretenduar se ka prova fotografike të konsultimeve me banorët. Ky pretendim u mohua kategorikisht nga protestuesit jashtë bashkisë.

“Asnjë nga këta qytetarë këtu nuk ka qenë pjesë e asnjë dëgjese publike apo konsultimi. Jemi totalisht kundra këtyre shpronësimeve të padrejta me çmime qesharake”, u shpreh njëri prej tyre.

Ata shtuan se anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët në media ishin shprehur se i njihnin banorët, në përballjen direkte nuk njohën asnjë prej tyre.

Banorët paralajmëruan se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të përshkallëzohen. Ata janë të vendosur të kërkojnë të drejtën e tyre dhe të mos lejojnë shembjen e banesave në atë që e cilësojnë një proces të padrejtë dhe selektiv.

Deklarata e banorëve:

"Sot ne jemi mbledhur për shtëpiat tona, të rishikohet projekti, sepse po e bëjnë Durrësin pa durrsak, po e bëjnë copë-copë, selektive.

Tani po marrim vesh nga që kanë folur, që i kemi takuar, kemi fotografi dhe jemi dakord.

Të vijë poshtë Elio Jani e të shohim me kë ka qenë Elioja. Është një masakër.

Anëtarët e Këshillit, këta që s'i dalin, janë komplet mashtruesa, që po mashtron një popull. Ne nuk i ndahemi, o të rishikohet projekti, edhe të shikojnë ato selektivet.

Që shtëpia ime, e din vetë atë për çfarë prishet. Për shtëpinë e Spartak Kovaçit. Prandaj, ne jemi këtu dhe do jemi përditë këtu. Të rikthejë, të shikojë projektin, se nuk bëhet. Je duan këto.

Këto duan të shembin shtëpiat, të vjedhin pallate. Është dëshira më e madhe e Edi Ramës, të madhit të lartë. Se ai ka nxjerrë VKM-në, shtëpinë time unë e kam me VKM. Ka nxjerrë VKM-në, po ma merr prapë me VKM.

Mendo se çfarë dallavera bën me VKM-të e veta. Mendo me popullin që po bën masakër. Turpi i mbuloftë, nuk kemi çfarë të themi më. I kemi lënë Zotit që është lart'.