Mamdani fitoi një palë zgjedhje, jo një revolucion

Nga Elizabeth Stauffer/

Nuk mund t'i fajësojmë demokratët që festuan fitoren e Zohran Mamdanit në garën për kryetar bashkie të Nju Jorkut. Në fund të fundit, partia ka qenë në një "shkretëtirë politike" që prej disfatës së rëndë në nëntorin e kaluar dhe ishte e dëshpëruar për një fitore.

Por identiteti i Mamdanit si mysliman dhe socialist i deklaruar ka pasur një efekt të paqëllimshëm: fitorja e tij i ka dhënë kurajë elementëve islamistë dhe marksistë brenda bazës së tij, shumë prej të cilëve janë tepër të etur për t'i dhënë fitores një domethënie që nuk e ka.

Shfaqjet e arrogancës nisën menjëherë pasi Mamdani u shpall fitues. Një burrë mysliman i paidentifikuar, që duket se e interpretoi rezultatin si një miratim hyjnor të triumfit përfundimtar të Islamit në Amerikë, u drejtua me një mesazh tronditës një turme të madhe të mbledhur në Times Square të Manhattan-it të martën në mbrëmje.

Ai bërtiti: "Nuk do të fshihemi më. Mjaft më me tortura, me dhimbje e me gjykime. Kjo [Islami] është feja e vërtetë. Kjo është feja pjesë e së cilës duhet të bëhet mbarë njerëzimi dhe ne nuk do të ndalemi derisa të hyjë në çdo shtëpi."

Fatkeqësisht, ai nuk ishte i vetmi që besonte se fitorja e Mamdanit shënonte fillimin e një transformimi islamik të Shteteve të Bashkuara.

Një video e mëvonshme tregonte gra myslimane duke vallëzuar nga gëzimi. Njëra prej tyre thoshte: "Ligji i Sheriatit nis tani. Po, absolutisht! … Mamdani, Kalifati Islamik, vëllai ynë në Islam. Kalifati Islamik i Nju Jorkut nis sot, zemër!"

Vlen të theksohet se, sipas ligjit të Sheriatit, grave zakonisht nuk u lejohet të kërcejnë në publik apo të përdorin gjuhë fyese. Ajo ndoshta duhet ta mendojë edhe një herë se çfarë po feston.

Rrjetet sociale janë mbushur me postime nga njerëz të mashtruar që shprehin ndjenja të ngjashme. Këto narrativa të shtrembëruara e përkthyen fitoren e Mamdanit në diçka që s'ka lidhje me realitetin. Të thuash se zgjedhja e një myslimani në një qytet të vetëm do të thotë se vendi po e përqafon Islamin si fenë e tij është qesharake.

Duke lënë mënjanë fjalët boshe, një përdorues i X shkroi: "Nëse një i huaj është në vendin tënd dhe kërkon që ta pranosh kulturën e tij si tënden apo të ndryshosh bindjet e tua për nevojat e tij fetare… ai nuk është emigrant. Ai është pushtues." Dhe ka të drejtë.

Ndoshta mesazhi më i rëndësishëm nga fitorja e Mamdanit, dhe më i bazuari në realitet, është se socializmi tani shihet si një sistem ekonomik i pranueshëm në SHBA. Për një numër befasues amerikanësh, sidomos të rinjtë, që nuk kanë asnjë ide për vuajtjet që ka shkaktuar kudo ku është provuar, socializmi, madje edhe marksizmi, është bërë një alternativë e preferuar ndaj kapitalizmit.

Festa e fitores së Mamdanit mblodhi një grup të njohur figurash të majta ekstreme. Midis tyre ishin gazetari Mehdi Hasan, influencuesi kontrovers Hasan Piker, ish-kongresisti i Nju Jorkut Jamaal Bowman, që mund të caktohet në krye të sistemit shkollor të qytetit, dhe Mahmoud Khalil, i njohur për organizimin e protestave kundër Izraelit në Universitetin e Columbia-s dhe për përpjekjet e tij për të shmangur deportimet.

Në një video, Hasan e pyeti Pikerin, i cili ka mohuar mizoritë e Hamasit ndaj Izraelit, "Si ndihesh për një kryetar bashkie socialist?"

Piker u përgjigj se ndihej "plot energji." Ai theksoi se "të jesh i palëkundur në vlerat e tua, qoftë kur flet hapur për Izraelin apo kur përqendrohesh kryesisht te çështjet e përballueshmërisë në fushatë, në fakt rezulton shumë efektive."

Ai shtoi se SHBA-ja mbetet "në zemër të luftës imperialiste", duke shtuar: "Ky është vendi që mundi fatkeqësisht Bashkimin Sovjetik."

Sipas Piker-it, "amerikanët e zakonshëm po arrijnë më në fund në përfundimin se ndoshta ekziston një alternativë që fokusohet tek ata dhe jo te interesat e miliarderëve e milionerëve."

Bowman, i entuziazmuar, i tha mikut të tij Hasanit: "Socializmi nuk është më një fjalë e pistë. Do përballemi me të gjithë djemtë fals të fortë të krahut të djathtë të MAGA-s."

Të gjithë këta njerëz kanë nevojë të përballen me realitetin. Së pari, Mamdani u zgjodh kryetar bashkie, jo president, dhe varreza politike e Nju Jorkut është plot me ish-kryetarë që janë zhdukur shpejt në harresë.

Së dyti, qyteti i Nju Jorkut nuk përfaqëson SHBA-në. Sipas raportit më të fundit të Bordit të Zgjedhjeve të Shtetit të Nju Jorkut, vetëm 17% e votuesve të qytetit janë të regjistruar si republikanë.

Edhe pse kryetari i sapozgjedhur është jashtëzakonisht popullor në Nju Jork, think tank-u demokrat "The Third Way" raportoi se "ai mbetet një nga demokratët më të papëlqyer në vend, me një vlerësim neto prej -14 në nivel kombëtar. … Politikat dhe mesazhi i tij janë radikalë dhe politikisht toksikë jashtë kufijve blu të Nju Jorkut."

Për më tepër, rivali më i afërt i Mamdanit, ish-guvernatori Andrew Cuomo, nuk ishte aspak një kundërshtar i frikshëm. Ai dha dorëheqjen i turpëruar në vitin 2021 pasi prokuroria e shtetit konstatoi se kishte "ngacmuar seksualisht disa gra dhe kishte krijuar një ambient toksik e frikësues pune."

Duke u trembur nga një fitore e Mamdanit, shumë banorë tashmë janë larguar nga qyteti, dhe të tjerë me siguri do të ndjekin. Si për ironi, të parët që po ikin janë pikërisht taksapaguesit që financojnë ëndrrat e tij socialiste.

Siç theksoi komentatori Stephen A. Smith këtë javë, "Njerëzit që e duan Mamdanin nuk janë ata që paguajnë faturat dhe taksat." Me fjalë të tjera, ai mund të mbetet shpejt pa paratë e të tjerëve për të shpenzuar.

Radikalët brenda bazës së mbështetësve të Mamdanit po e trajtojnë fitoren e tij si agimin e një epoke të re. Festimi është një gjë, por do të ishte mirë të kujtonin se ai fitoi një palë zgjedhje, jo një revolucion. / Washington Examiner - Syri.net