Gjyqi ndaj Metës/ Avokati braktis seancën: Gjyqtarja ka një hall të madh... SPAK po i jep ushqim publikut

Seanca gjyqësore ndaj kreut të PL, Ilir Meta është shoqëruar me tensione dhe akuza të forta nga pala mbrojtëse. Avokati Kujtim Cakrani ka braktisur seancën, duke deklaruar për mediat se nuk mund të legjitimonte një proces të paligjshëm. Ai ka akuzuar prokurorët e posaçëm për shkelje të rënda procedurale dhe gjyqtaren Irena Gjoka se po pranon çdo kërkesë të tyre, duke e përshkruar situatën si një tentativë për të “ushqyer opinionin publik” me insinuata.

Sipas avokatit, problemi kryesor qëndron te mënyra se si prokuroria po menaxhon provat. Ai shpjegoi se prokurorët e SPAK po sjellin dokumente të reja në çdo seancë, të cilat i cilësojnë si "prova të reja", një veprim që bie ndesh me nenin 110 të Kodit të Procedurës Penale. Mbrojtja pretendon se të gjitha provat duhet të ishin administruar dhe vënë në dispozicion në fund të hetimeve, për t'i dhënë mundësi palës të përgatisë kundërshtimet e saj.

Kujtim Cakrani: Ne nuk mund ta vazhdonim më seancën, por kishte dhe diçka tjetër, sepse prokurorët e posaçëm, çdo seancë që vijnë aty sjellin ndonjë dokument të ri, që ata e quajnë provë të re, që për ne nuk ka asnjë lloj problemi. Por problemi qëndron që shkelja e procedurës është shumë e rëndë, sepse ata duhet t'i kishin administruar provat dhe të na i kishin vënë në dispozicion në momentin e përfundimit të hetimeve dhe ne të ishim njohur me aktet dhe të kishim bërë prapësimet tona siç e ka neni 110 i Kodit të Procedurës Penale.

Kërkesa është duke u shqyrtuar nga një gjyqtar i kësaj gjykate dhe akoma nuk kemi një vendimmarrje. Padyshim që ne, kërkesa ndaj zonjës Gjoka kanë qenë të vazhdueshme jo nga ne, por dhe nga zoti Berisha apo zoti Mediu e kështu me radhë dhe nuk pranohen. Ne bëjmë procedurën. Duhet të kuptojmë diçka. Unë ua kam thënë, unë vij këtu për të bërë proces gjyqësor. Prokurorët dhe gjyqtarja, zonja Gjoka, vjen të bëjë procedurën. Unë s'jam për procedurën. Unë jam që të bëhet një proces i rregullt, të bazohet në prova e në fakte. Kjo është e gjithë ajo që unë kërkoj nga këta. Dhe unë ika nga seanca, e lashë, ika nga seanca, e lashë aty prokurorët dhe gjyqtaren në seancë dhe unë nuk mund të bëhem të legjitimoj paligjshmërinë e gjyqtares zonjës Gjoka, që pranon çdo kërkesë, çdo akt që i dorëzon prokurorët e posaçëm. Unë e kuptoj që zonja Gjoka ka hall të madh, por unë këtë hall nuk ia zgjidh dot. Më kuptoni?

Nuk ia zgjidh dot zonjës Gjoka sepse ajo e ka hallin me drejtësinë, e ka hallin, problemin e ka me drejtësinë. Unë, unë në këtë moment kam problemin e procedurës, sepse prokuroria paraqet kërkesa, që i quan prova të reja, ndërkohë që hetimet kanë përfunduar që në gusht. Tani ju duket normale, sepse ju këtu jeni bërë dhe juristë. Problemi nuk janë prova, janë ato të prova të cilët pretendonin ata për lobimin në Shtetet e Bashkuara, që do të thotë një kompani që këta mendojnë se është kushëriri i bashkëshortes së presidentit, zotit Meta, ka paguar për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, por nuk faktohet në asnjë moment që te Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, zoti Meta, sipas kontratës që ata disponojnë, që çdo pagesë mbi 1000 euro duhet të firmoset nga kryetari i partisë dhe me mendimin e kryesisë, nuk rezulton asnjë pagesë.

As nga llogaria bankare e partisë dhe asnjë pagesë nga brenda Shqipërisë. Fakti që GCIS-ja mund të ketë me kompani të tjera 100 kontrata dhe paguajnë një ditë që i ka ardhur, njësoj, pra lëshohet fatura në të njëjtën ditë që i lëshohet dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, kjo nuk do të thotë që ata i paguajnë për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Tani ju duhet të kuptoni diçka. Nuk ka asnjë pagesë, asnjë pagesë me firmën e zotit Meta, asnjë pagesë nga anëtarë, nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim që të jetë paguar për GCIS-në për llogari të LSI-së.