Yamal vizitohet për sëmundjen e pubalgjisë, përgjigjja që merr nga mjeku specialist belg, Spanja e ‘përjashton’
Sulmuesi anësori i Barcelonës, Lamine Yamal, është vizituar te një mjek specialist belg me emrin Ernest Schilders për trajtimin e pubalgjisë.
18-vjeçari ka disa muaj që vuan nga ky problem dhe nuk është shëruar plotësisht prej tij.
Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, për lehtësimin e madh të Yamalit dhe Barçës, mjeku i njohur nuk ka gjetur probleme serioze dhe spanjolli është në gjendje të mirë.
Ai gjithashtu ka lavdëruar ekipin mjekësor të klubit katalanas për zbulimin e dëmtimit të Yamalit në një fazë të hershme dhe ofrimin e një programi konstruktiv rikuperimi.
Spanjolli i jashtëzakonshëm po fillon të rifitojë formën e tij, pasi ka shënuar në tre ndeshjet e fundit radhazi.
Por, përsa i përket Kombëtares, pasi mësoi për këtë episod Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur që të kthejë lojtarin në Barcelonë, pasi ky i fundit nuk mund të ishte pjesë e grupit për shkak se nuk ishte i gatshëm që të luante.