Fermerët e Myzeqesë: Prodhimi na kalbet në ara, shteti na ka lënë në harresë

Në zemër të Myzeqesë, aty ku toka ka ushqyer brez pas brezi familjet e fshatrave të Fierit, sot dëgjohet një zë i përbashkët: “punojmë tokën, por prodhimi po na kalbet në ara.”

 

Fermerët e fshatrave Verri, Kallm i Madh, Kallm i Vogël e Imsh shprehen të zhgënjyer nga mungesa e tregjeve, mungesa e subvencioneve dhe abuzimet që, sipas tyre, ndodhin nga vetë pikat e grumbullimit.

Ata thonë se këto pika, në vend që t’u shërbejnë fermerëve, janë kthyer në biznese private për përfitim personal.

“Personat që i kanë pikat, mbjellin vet sipërfaqe të mëdha dhe shesin më parë prodhimin e tyre, ndërsa ne, që e kemi punuar tokën me mund e djersë, mbetemi me mallin pa shitur,” – shprehen banorët.

Në të kaluarën, këto zona njiheshin për shumëllojshmërinë e kulturave bujqësore, por sot situata ka ndryshuar. Tokat mbillen, por nuk ka blerës.

“Kemi domate, speca, qepë, patate që na mbeten në arë, sepse nuk ka kush t’i blejë,” – thotë një fermer nga Kallmi i Madh.

Por kriza nuk ndalet vetëm tek perimet. Edhe blegtoria është në rënie të lirë. “Dikur, në një fshat me 80 shtëpi kishte mbi 250 krerë lopë. Sot mezi gjen 30 apo 40,” – tregojnë banorët.

Shkak për këtë, sipas tyre, është ulja e çmimit të qumështit nga pikat e grumbullimit. “Çmimi është aq i ulët, sa nuk ia vlen më të mbash lopë. Plus, të rinjtë nuk duan më t’i hyjnë kësaj pune,” – thotë një tjetër fermer.

Fermerët shprehen se pikat e grumbullimit dhe tregtarët e mëdhenj përfitojnë TVSH dhe subvencione, ndërsa ata prodhuesit e vërtetë mbeten në hije.

“Shteti na ka harruar. Po mbështet tregtarët, jo fermerët,” – shprehen me indinjatë.

Në fund, të lodhur nga pritja dhe zhgënjimi, ata apelojnë për ndërhyrjen e institucioneve.

“Toka punohet, por prodhimi nuk shitet. Po kalbet në ara. Nëse shteti nuk mendon për ne, fshati do të zbrazet krejt. Politikat e gabuara po na shkatërrojnë jetën.”

Fjalët e tyre janë një thirrje e dhimbshme për ndihmë – nga zemra e Myzeqesë, ku fermerët punojnë me mund, por nuk shohin dritë në fund të arës.