Kurthi në portin italian - 33-vjeçari shqiptar kapet me 40 kg kokainë
Një 33-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Porto Sant’Elpidio, është dërguar për gjykim në Itali, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u arrestua gjatë një operacioni të madh të Rojeve të Financës dhe Doganës së Livornos, ku u sekuestruan rreth 40 kilogramë kokainë.
Operacioni i koduar në portin e Livornos
Sipas mediave italiane, tre persona kishin shkuar në portin e Livornos për të marrë drogën e fshehur në një konteiner, por u kapën në flagrancë nga autoritetet, të cilat kishin përgatitur një kurth pas një hetimi disa mujor ndaj një organizate kriminale me bazë shqiptare.
Gjatë kontrollit, qentë antidrogë kishin zbuluar sasinë e madhe të kokainës, duke bërë që forcat e Guardia di Finanza dhe zyrtarët e Repartit Antifrodë të Doganës të ndërhynin në momentin që trafikantët tentuan të tërhiqnin lëndën narkotike.
Tre të arrestuar, 36 pako kokaine të sekuestruara
Të tre të dyshuarit, mes tyre edhe shqiptari 33-vjeçar, u arrestuan në flagrancë me akuzën e trafikimit të një sasie të konsiderueshme narkotikësh.
Në operacion u sekuestruan 36 pako kokaine, të destinuara pjesërisht për tregun e Marche-s, që nëse do të dilnin në treg do të kishin një vlerë mbi 3 milionë euro.
Pas arrestimit, shqiptari doli para gjyqtarit hetues (GIP), ku refuzoi të përgjigjej, ndërsa gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për masë sigurie me burgim.
Hetimet vijojnë kundër rrjetit të drogës
Hetimet janë drejtuar nga Prokuroria e Livornos, në bashkëpunim me Agjencinë e Doganave dhe Monopoleve, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të organizatës që merrej me importimin e kokainës në territorin italian.
Sipas Guardia di Finanza, operacioni tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, që mbetet një nga burimet kryesore të financimit për krimin e organizuar ndërkombëtar. Kokaina e sekuestruar, pas analizës laboratorike, është asgjësuar në një incenerator.