'Zjarri i qëllimshëm shkrumbon mobilerinë në Vlorë', Pronari: Nuk kam konflikte me askënd...
Një zjarr i qëllimshëm ka shkrumbuar plotësisht një mobileri në qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Pronari i dyqanit deklaron për Syri Televizion se nuk ka konflikte me askënd dhe se është person paqësor.
“Po ia lë drejtësisë hetimin, kamerat janë aty dhe mendoj se shumë shpejt do të zbardhet ngjarja”, tha ai.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00, kur një person ende i paidentifikuar, i kamufluar me veshje të errëta, ka thyer xhamin e dyqanit dhe më pas e ka spërkatur ambientin me lëndë djegëse, duke shkaktuar zjarrin që ka shkatërruar gjithçka brenda.
LEXO EDHE: Digjet mobileria në Vlorë, autori i maskuar i vë flakën biznesit dhe arratiset
Pronari shton se nuk ka bërë përllogaritje të detajuar të dëmit, por vlerëson se shkon rreth 3 milion lekë.
Ai thekson se është lajmëruar për ngjarjen nga një banore përballë pallatit dhe ka kontaktuar menjëherë qiradhënësin, i cili u tregua i gatshëm për të ndihmuar.
Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur në vendngjarje, por mobileria është djegur tërësisht.
Ndërkohë, policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për ngjarjen.
Dëshmia e plotë pronarit:
Unë nuk kam ndonjë konflikt dhe nuk jam një person konfliktual, jam shumë paqësor.
Po ia lë drejtësisë hetimin, janë të detyruar ta bëjnë sepse kamerat janë aty, personi është i dukshëm dhe mendoj se shumë shpejt do të zbardhet ngjarja.
Nuk kam bërë një përllogaritje të detajuar të dëmit, por afërsisht shkon aty tek 3 milion lekë të reja, sipërfaqësore.
Në orën 3 të mëngjesit më lajmëron një banore përballë pallatit, më njofton në telefon se ka ndodhur kjo gjë.
Nuk mora askënd tjetër në telefon, mora qiradhënësin që e kam dhe gjitmon këtu, dhe ai u tregua i gatshëm dhe erdhi.