Sot zgjedhje në Irak, por pak shpresa për ndryshim
Irakianët votojnë këtë të martë në zgjedhjet parlamentare ku kryeministri Mohammed Shia al-Sudani po kërkon një mandat të dytë, ndërsa një elektorat i ri në rritje i sheh zgjedhjet si një mjet për partitë e vjetra që të ndajnë pasurinë e naftës së vendit.
Blloku i Sudanit parashikohet të fitojë më shumë vende në parlament, por jo shumicën, gjë që mund të nënkuptojë muaj të tërë negociatash paszgjedhore mes partive shiite, sunite dhe kurde për ndarjen e posteve qeveritare dhe zgjedhjen e kryeministrit.
Zgjedhjet në Irak karakterizohen gjithnjë e më shumë nga një pjesëmarrje e ulët. Shumë votues e kanë humbur besimin në një sistem që nuk ka arritur të thyejë modelin e kapjes së shtetit nga partitë e fuqishme me mbështetje të armatosur, ndërsa qytetarët e zakonshëm ankohen për korrupsion të përhapur, shërbime të dobëta dhe papunësi.
Pjesëmarrja pritet të bjerë nën rekordin më të ulët prej 41% të vitit 2021, sipas analistëve dhe sondazheve, pjesërisht për shkak të zhgënjimit të përgjithshëm dhe bojkotit nga kleriku shiit populist Moqtada al-Sadr, i cili ka qindra mijëra mbështetës të devotshëm.
Zhgënjimi nga sistemi politik
Këto zgjedhje përfshijnë një valë kandidatësh të rinj që shpresojnë të hyjnë në politikë, por shanset e tyre përballë rrjeteve të vjetra të patronazhit janë të pasigurta.
“Këto zgjedhje nuk do të varen nga popullariteti. Do të varen nga shpenzimi i parave,” tha ish-kryeministri Haider al-Abadi gjatë një interviste televizive muajin e kaluar, citon Reuters.
Analistët paralajmërojnë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve mund të gërryejë më tej besimin në një sistem që, sipas kritikëve, u shërben të paktëve dhe neglizhon shumicën.
“Për 21 milion votues të regjistruar në Irak, votimi i së martës mund të bëjë pak më shumë se të miratojë rendin e njohur politik,” tha analisti politik me bazë në Bagdad, Ahmed Younis. “Rezultatet nuk pritet të sjellin ndryshime dramatike në hartën politike të Irakut.”
Megjithatë, votimi, rezultatet e të cilit priten pas disa ditësh, vjen në një moment të ndjeshëm për vendin.
Qeveria e ardhshme do të duhet të balancojë me kujdes ndikimin e SHBA-ve dhe Iranit, të menaxhojë dhjetëra grupe të armatosura që janë më afër Teheranit dhe që i përgjigjen më shumë udhëheqësve të tyre sesa shtetit, ndërkohë që përballen me presion në rritje nga Washington-i për të shpërbërë ato milici.
Presioni për të sjellë rezultate
Iraku deri tani ka shmangur më të keqen e trazirave rajonale të shkaktuara nga lufta në Gaza, por do të përballet me zemërimin e SHBA-ve dhe Izraelit nëse nuk arrin të frenojë militantët të lidhur me Iranin.
Të zgjedhurit do të përballen gjithashtu me presion të brendshëm për të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e përditshme dhe për të parandaluar që pakënaqësia publike ndaj korrupsionit të kthehet në trazira, siç ndodhi gjatë demonstratave masive në vitet 2019 dhe 2020.
Iraku filloi të votojë për politikanët e tij në vitin 2005, pas pushtimit amerikan të vitit 2003 që rrëzoi autokratin Saddam Hussein.
Zgjedhjet e para u shoqëruan me dhunë sektare dhe u bojkotuan nga myslimanët sunitë, pasi rrëzimi i Sadamit lejoi dominimin politik të shumicës shiite, të cilën ai e kishte shtypur gjatë sundimit të tij të gjatë.
Sektarizmi është zbehur ndjeshëm, veçanërisht mes të rinjve irakianë, por mbetet i rrënjosur në një sistem politik që ndan postet qeveritare mes shiitëve, sunitëve, kurdëve, të krishterëve dhe grupeve të tjera etnike e fetare.
Sipas sistemit të ndarjes sektare të pushtetit në Irak, kryeministri do të jetë shiit, kryetari i parlamentit sunit dhe presidenti kurd.