Situatë e përsëritur! Reshjet e shiut lënë sërish pa energji elektrike Kukësin
Reshjet e shiut që kanë përfshirë rajonin e Kukësit gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qytetit. Banorët e zonës janë zgjuar mëngjesin e sotëm nën zhurmën e gjeneratorëve, të cilët po përdoren nga bizneset e vogla për të siguruar furnizimin me energji.
Sipas banorëve, ndërprerjet e energjisë elektrike janë një problem i përsëritur, që shfaqet sa herë bie shi, për shkak të mungesës së riparimeve në rrjetin e amortizuar elektrik.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se moti i keq ka shkaktuar gjithashtu rënie gurësh dhe dherash në disa segmente rrugore rurale.
Bashkia e Kukësit ka ndërhyrë me mjetet e saj për pastrimin dhe rregullimin e pjesëve të dëmtuara, me qëllim rikthimin e qarkullimit normal në këto zona.
Ndërkohë, reshjet e fundit kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e rezervave ujore në Liqenin e Kukësit. Prej dy javësh, niveli i ujit në basenin e liqenit është në rritje të vazhdueshme, duke sjellë shtim të prurjeve në hidrocentralin e Fierzës dhe përmirësim të prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë, me shtimin e prurjeve janë rritur edhe mbeturinat në liqen, duke shkaktuar ndotje të sipërfaqes ujore dhe shqetësime mjedisore.
Situata për ditën e sotme:
Situata në Qarkun Kukës deri në orën 08:10 datë 11.11.2025 është si më poshtë:
Situata në Qarkun Kukës është e qetë.
•Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
•Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente.
•I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç Nj.Adm Topojan, Shishtavec, Zapod, Bicaj, Ujmisht dhe një pjesë e qytetit të Kukësit.
•Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga D.R.U.K. Kukës.
Ngelemi në kontakt.