De Laurentiis shuan zërat për krizë: Jam krenar që kam Conten në krahun tim

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka ndërhyrë publikisht për të qetësuar ambientin pas ditëve të tensionuara që pasuan shpërthimin e Antonio Contes dhe zërave për një dorëheqje të mundshme të trajnerit.

Në një postim në rrjetin X, De Laurentiis reagoi ndaj lajmeve që qarkulluan në media:

“Lexoj në internet përralla për dorëheqjen e Contes. Unë e dua shumë rrjetin, sepse është një mënyrë moderne dhe e shpejtë për të shpërndarë mendime. Por e dini mirë që mendimet nuk janë gjithmonë të sakta apo të përbashkëta,” – shkroi ai.

Më pas, presidenti i Napolit e bëri të qartë lidhjen e fortë me trajnerin:

“Mes meje dhe Contes ekziston gjithmonë një harmoni e veçantë, që bashkon burra që ndajnë tre ‘C’ (Cuore, Coraggio, Cervello)... që pëlqehen shumë nga napolitanët dhe jo vetëm. U them tifozëve që kanë lexuar ndonjë marrëzi: jam krenar që kam në krah një njeri të vërtetë si Antonio Conte, i cili sakrifikon çdo sekondë të jetës së tij për profesionin me bujari dhe përkushtim.”

Deklarata e De Laurentiis vjen në një moment delikat, pas ndeshjes me Bolognan, ku Conte kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e tij. Tani, me fjalët e presidentit, duket se pozita e trajnerit është blinduar, ndërsa Napoli synon të rikthejë qetësinë dhe fokusin në fushë.