Një valë teknologjie e gjelbër nga Kina po përmbys politikat globale klimatike
Ndërsa Shtetet e Bashkuara i kundërvihen veprimeve për klimën dhe Evropa përpiqet të realizojë ambiciet e saj të gjelbra, një ndryshim i habitshëm po ndodh në shumë ekonomi të mëdha me rritje të shpejtë, ku jeton shumica e njerëzve të botës.
Vende si Brazili, India dhe Vietnami po e zgjerojnë me shpejtësi energjinë diellore dhe të erës. Vende më të varfra si Etiopia dhe Nepali po kalojnë nga makinat me benzinë në ato me bateri. Nigeria, një shtet nafte, planifikon të ndërtojë uzinën e saj të parë të prodhimit të paneleve diellore. Maroku po krijon një qendër baterish për të furnizuar prodhuesit evropianë të automjeteve. Santiago, kryeqyteti i Kilit, ka elektrifikuar më shumë se gjysmën e flotës së autobusëve të saj vitet e fundit.
Çelësi i këtij ndryshimi është superfuqia e re botërore e energjisë së rinovueshme: Kina.
Duke e ngopur tregun e vet me panele diellore, turbina me erë dhe bateri, kompanitë kineze tani po eksportojnë mallrat e tyre në vendet e etura për energji në botën në zhvillim. Për më tepër, ato po investojnë miliarda dollarë në fabrika që prodhojnë gjëra të tilla si panelet diellore në Vietnam dhe makinat elektrike në Brazil.
Në fakt, politika industriale kineze, po formëson trajektoren e zhvillimit të disa prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në botë.
“Nga pikëpamja e klimës, vendet në zhvillim po tregojnë zgjidhje”, tha André Corrêa do Lago, diplomati brazilian që drejton bisedimet ndërkombëtare për klimën të këtij viti, të njohura si COP30, në qytetin brazilian të Belémit.
“Mendoj se vendet në zhvillim po shfaqen në këtë COP me një rol të ndryshëm”, shtoi ai.
A po e zgjidh kjo plotësisht problemin e ndryshimeve klimatike? Jo. Shumica e vendeve, përfshirë këto ekonomi të mëdha dhe në rritje, ende e marrin pjesën më të madhe të energjisë së tyre nga lëndët djegëse fosile. Indonezia ende po nxjerr sasi të mëdha qymyri, burimi më i ndotur i energjisë. India dhe Kina vazhdojnë ndërtimin e termocentraleve të qymyrit. Brazili planifikon të zgjerojë prodhimin e naftës. [Njerëz rreth një hyrjeje në vendin e konferencës me kornizë metalike në Belém. Qielli është i kthjellët dhe blu me disa re të larta e të buta.]
Por këto vende po plotësojnë gjithnjë e më shumë pjesë të mëdha të nevojave të tyre për energji me energji të rinovueshme, si për kursimin e kostove ashtu edhe për arsye të sigurisë energjetike. Shumë prej tyre po përpiqen të zvogëlojnë sasinë e lëndëve djegëse fosile që importojnë, për të lehtësuar presionin mbi rezervat e tyre valutore.
Çmimet në rënie të shpejtë të teknologjisë kineze po i mundësojnë atyre ta bëjnë këtë. Ani Dasgupta, drejtuese e Institutit Botëror të Burimeve, një grup kërkimor dhe avokues mjedisor, tha se kjo tregon se si zhvillimi ekonomik mund të shkojë krah për krah me uljen e emetimeve të gazrave serrë.
“Ekonomitë në zhvillim janë një pjesë shumë e rëndësishme e historisë”, tha ai. “Arsyeja pse duhet t’i kushtojmë vëmendje është se ato kanë më shumë njerëz në botë, kanë numrin më të madh të njerëzve të varfër në botë dhe kërkesat e tyre për energji janë në rritje. Nëse këto ekonomi nuk ndryshojnë, nuk ka asnjë shans që bota të bëhet një vend më i sigurt.”
Etiopia vitin e kaluar ndërmori hapin e jashtëzakonshëm të ndalimit të importit të makinave të reja me benzinë. Nepali uli aq shumë detyrimet e importit për automjetet elektrike, saqë tani ato janë më të lira se makinat me motorë me djegie të brendshme. Brazili rriti tarifat për të gjitha importet e makinave për të detyruar prodhuesit kinezë të makinave si BYD dhe Great Wall Motors, të hapin fabrika brenda Brazilit.
Investimet kineze në prodhim në të gjithë botën kanë tejkaluar 225 miliardë dollarë në total që nga viti 2011, sipas Laboratorit të Politikave Zero Net në Universitetin Johns Hopkins, me tre të katërtat e këtyre parave që shkojnë në ato që autorët e raportit i quajnë vende në jugun global, një term kolektiv për vendet me të ardhura të ulëta dhe ekonomitë në zhvillim. E përshtatur për inflacionin, kjo është më shumë sesa Shtetet e Bashkuara derdhën në Planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore.
Edhe India, e kujdesshme ndaj mbështetjes në importet nga Kina, fqinji dhe rivali i saj, ka nxjerrë një faqe nga libri i politikave industriale kineze. Qeveria po përdor stimuj për të instaluar sasi të mëdha të energjisë diellore, dhe për të prodhuar shumë më tepër pajisje diellore në vend.
India e shfrytëzoi samitin në Belém javën e kaluar për t'i kujtuar botës se gjysma e kërkesës së saj për energji elektrike tani mund të përmbushet nga era, dielli dhe hidroenergjia dhe se arriti objektivat e saj të vitit 2030 për kalimin në burime më të pastra energjie sipas Marrëveshjes së Parisit pesë vjet më herët. Ajo ende nuk i ka paraqitur objektivat e saj klimatike për vitin 2035.
Shkurt, qendra e gravitetit duket se po zhvendoset.
Dhjetë vjet më parë, kur u nënshkrua Marrëveshja e Parisit, ishin vendet e pasura dhe të industrializuara si Shtetet e Bashkuara dhe Evropa që po i shtynin vendet në zhvillim, të ndërmerrnin veprime më të shpejta për të ulur emetimet e gazrave serrë që ngrohin planetin. Vendet në zhvillim u përgjigjën se edhe ato kishin të drejtë të industrializoheshin dhe se vendet e pasura duhet t'i ndihmonin ata të financonin kalimin në lëndë djegëse më të pastra.
Kjo ndihmë financiare kryesisht nuk është materializuar. Zemërimi i udhëheqësve të vendeve në zhvillim mbetet.
Por ekonomia ka ndryshuar.
“Dhjetë vjet më parë, kishim angazhimin politik, por nuk kishim tregje”, tha Kaysie Brown, drejtoreshë e asociuar për diplomacinë klimatike dhe gjeopolitikën në E3G, një grup evropian kërkimi dhe avokimi. “Tani mendoj se jemi në një pikë kthese ku në disa raste, si burimet e rinovueshme të energjisë, i kemi tregjet. Pra, ekziston një pyetje se nga ku në këtë peizazh në ndryshim fillon të shohësh të vijë lidershipi politik.”
Kina është përpjekur ta paraqesë veten si një shtyllë e stabilitetit global, veçanërisht pasi administrata Trump tha se do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga bisedimet vjetore për klimën.
“Tranzicioni i gjelbër dhe me karbon të ulët është trendi i kohës”, tha zëvendëskryeministri kinez, Ding Xuexiang, javën e kaluar në samit. “Ne duhet të qëndrojmë të sigurt, të balancojmë qëllime të tilla si mbrojtja e mjedisit, zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe zhdukja e varfërisë.”
Z. Ding u bëri thirrje gjithashtu vendeve anembanë botës që të ulin barrierat tregtare për teknologjinë e gjelbër.
Me eksportet kineze të paneleve diellore, turbinave me erë dhe baterive që shënojnë rekorde këtë vit, Pekini ka gjithnjë e më shumë interes të sigurohet që pjesa tjetër e botës të ecë më shpejt në përvetësimin e energjisë së rinovueshme. Shumë udhëheqës amerikanë dhe evropianë kanë shprehur shqetësim për dominimin në rritje të Kinës, i cili ka dëmtuar industritë e tyre.
Por në samit, shumë vende në zhvillim duken dakord me marrëveshjen.
«Nuk mund të këmbëngulësh që Kina duhet të ulë emetimet e saj» dhe pastaj, më vonë, «të ankohesh se Kina po vendos automjete elektrike të lira në të gjithë botën», tha z. Corrêa do Lago. «Nëse je i shqetësuar për klimën, ky është një lajm i mirë»./ NYT.