VIDEO/ Vokshi: Ne do bëjmë aksionin tonë brenda dhe jashtë parlamentit. Rama sot i dha një mesazh SPAK
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka folur për aksionin opozitar dhe ‘Platformën e Rezistencës’ që po përgatit PD.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Vokshi deklaroi se opozita do të zhvillojë aksionin e saj politik si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit.
‘Aksioni nuk do jetë vetëm në një shtyllë të tij. Do jetë në parlament dhe sigurisht si përfaqësues të më shumë se 500.000 qytetarëve, ne na bie përgjegjësia që të jemi në vijën e parë. Ne do bëjmë aksionin tonë, do ta bëjmë brenda komisioneve, brenda seancës, jashtë komisioneve, jashtë seancës plenare, pra edhe jashtë parlamentit edhe brenda parlamentit. Por duke mos lënë pas dore takimet me strukturat dhe me qytetarët,’ u shpreh Vokshi.
Deputetja theksoi se situata në vend është e rëndë dhe qytetarët kanë frikë të shprehen lirisht.
‘Jemi në një situatë të vështirë, ku çdo qytetar shqiptar ka frikë të flasë, ka frikë të të takojë, ka frikë të jetë komisioner apo vëzhgues, sepse ndëshkohet të nesërmen ose edhe atë natë,’ deklaroi ajo.
Vokshi theksoi se opozita po i kushton rëndësi të veçantë kontaktit të përditshëm me strukturat dhe qytetarët, sidomos pas raportit të OSBE-ODIHR që, sipas saj, ‘i damkosi edhe njëherë zgjedhjet e organizuara nga Edi Rama, duke treguar se Shqipëria është kthyer në një parti-shtet’.
‘Do flasim me strukturat, do flasim për zgjedhjet, për riorganizimin tonë, dhe një vëmendje të shtuar do ketë takimi me qytetarët. Mënyra se si hartohet buxheti i shtetit tregon se si kjo qeverisje keqqeveris, dhe buxheti i Edi Ramës tregon fizionominë e një qeverie të korruptuar dhe abuzive,’ u shpreh ajo.
Duke iu referuar daljeve publike të kryeministrit me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Vokshi tha se Rama i ka dërguar një mesazh të qartë SPAK-ut.
‘Dalja e sotme ishte një mesazh që Edi Rama donte t’ia jepte SPAK-ut, që ende Belinda Balluku të mos preket. Njëri prej propozimeve ishte që të bëhen protesta para Ministrisë së Belinda Ballukut, por vendimi është që të jetë para Kryeministrisë, sepse Kryeministria i përfshin të dy, edhe kryeministrin edhe zëvendëskryeministrin,’ tha Vokshi.
Sipas saj, Balluku nuk ka marrë asnjë vendim më vete, pasi ‘ka qenë Edi Rama që i ka miratuar, propozuar dhe dhënë porosi për çdo firmë që ajo ka hedhur’.