U shkarkua nga Fenerbahce, Mourinho i lë ‘peshqesh’ klubit një faturë prej 656 mijë paundësh për qëndrimin në hotelin luksoz

Jose Mourinho e ka mbyllur aventurën e tij në Turqi në mënyrën tipike “Special One”. Mediet turke raportojnë se trajneri portugez ka lënë pas një faturë të majme prej 656 mijë paundësh për qëndrimin e tij në një nga hotelet më luksoze të Stambollit, gjatë periudhës 15-mujore te Fenerbahçe.

Sipas Yenicag Gazetesi, Mourinho ka jetuar për më shumë se një vit në hotelin prestigjioz Four Seasons, ku çdo natë kushton mijëra paundë. Hoteli ndodhet buzë Bosforit dhe ofron pamje mahnitëse, dhoma me banjo prej mermeri dhe tarraca madhështore, një ambient perfekt për një “mbret” të futbollit.

Por ndryshe nga luksi që e rrethonte, periudha e Mourinho-s në Fenerbahçe nuk rezultoi aspak e artë. Ai u shkarkua në gusht, vetëm dy ditë pas eliminimit nga Benfica në “play-off”-in e Ligës së Kampionëve. Ironi e fatit, pasi pikërisht klubi portugez e punësoi pak ditë më vonë.

Për largimin e tij të parakohshëm, Mourinho përfitoi 13 milionë paundë dëmshpërblim, ndërsa tani Fenerbahçe pretendohet se është duke paguar edhe faturën e hotelit. Kjo ka shkaktuar zemërim te tifozët, të cilët akuzojnë drejtuesit se e lejuan trajnerin të “jetonte si mbret” pa rezultate në fushë.

Nuk është hera e parë që Mourinho zgjedh jetën në hotel: gjatë periudhës te Manchester United, ai la pas një faturë të ngjashme prej mbi 500 mijë paundësh. Në Turqi, megjithatë, “Special One” ka vendosur një rekord të ri, me një dalje spektakolare, një suitë luksoze dhe një faturë marramendëse që ende nuk dihet kush do ta paguajë.