Ekuador/ 31 të burgosur gjenden të vrarë dhe të varur në burg

Të paktën 31 të burgosur janë gjetur të vdekur në një burg në Ekuadorin jugor, përfshirë 27 të varur. Katër të burgosur u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën në përleshjet midis bandave rivale në burgun El Oro në qytetin Machala në orët e para të së dielës.

Siç raportojnë mediat e huaja, disa orë më vonë rojet e sigurisë, të cilët ishin njoftuar për një shpërthim të ri dhune midis bandave, i gjetën të burgosurit të varur në katin e tretë të ndërtesës. Përleshjet duket se janë shkaktuar nga planet për të transferuar disa të burgosur në një burg të ndërtuar rishtazi.

Burgjet e vendit, të cilat janë të mbipopulluara, kanë qenë skena e trazirave vdekjeprurëse dhe përleshjeve të bandave, me qindra të burgosur të vdekur vitet e fundit. Vetëm dy muaj më parë, në shtator, 13 të burgosur dhe një roje u vranë në të njëjtin burg në përleshjet midis bandave rivale.

Të afërmit e të burgosurve kanë bërë thirrje që bandat rivale të ndahen, ndërsa banorët e Machalës po bëjnë thirrje që burgu, i cili ndodhet në qendër të qytetit të tyre, të zhvendoset. Një burg i ri me siguri maksimale pritet të hapet në fund të nëntorit.