Steven Gerrard drejt rikthimit në Angli, në listën e ngushtë për stolin e Middlesbrough

Middlesbrough ka nisur kërkimin për një trajner të ri pas largimit të Rob Edwards, i cili pritet të marrë drejtimin e Wolverhampton Wanderers. Sipas medieve britanike, ndër kandidatët kryesorë për stolin e klubit nga “Riverside Stadium” është legjenda e Liverpool-it, Steven Gerrard.

Përveç tij, në listë ndodhen edhe ish-trajneri i Bournemouth-it dhe Wolves, Gary O’Neil, si dhe spanjolli Carlos Corberan, aktualisht në krye të Valencias. Megjithatë, drejtuesit e Middlesbrough nuk kanë ndërmend të nxitohen, duke synuar të gjejnë njeriun e duhur për ta udhëhequr skuadrën drejt ngjitjes në Premier League.

Rob Edwards, që mori drejtimin e klubit vetëm në korrik, ka rënë dakord të firmosë një kontratë trevjeçare e gjysmë me Wolves, të cilët do të paguajnë rreth 3 milionë euro dëmshpërblim. Në mungesë të tij, ndihmësi Adi Viviash drejtoi skuadrën në fitoren 2-1 ndaj Birmingham City-t dhe do të vazhdojë përkohësisht në detyrë.

Për Gerrard, kjo mund të jetë një mundësi ideale për t’u rikthyer në futbollin anglez, pas përvojave me Rangers në Skoci dhe Al-Ettifaq në Arabinë Saudite. Ish-kapiteni i Anglisë, 45 vjeç, mbetet pa skuadër që prej shkarkimit nga Aston Villa në tetor 2022 dhe është i gatshëm për një sfidë të re.