Veljko Paunović debuton në stolin e Serbisë: Edhe fitorja në Wembley mund të mos mjaftojë për vendin e dytë

Përfaqësuesja e Serbisë do të mbyllë dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve për Botërorin 2026 me një trajner të ri në stol. Veljko Paunović, i emëruar së fundmi si selektor, u paraqit për herë të parë para medieve në konferencën zyrtare të Federatës Serbe të Futbollit, ku foli gjerësisht për objektivat, bashkëpunëtorët dhe mënyrën e punës që do të ndjekë.

Debutimi i tij do të vijë në një skenë madhështore, më 13 nëntor në “Wembley” kundër Anglisë, ndërsa ndeshja e fundit e kualifikuesve do të luhet më 16 nëntor, në Leskovc, kundër Letonisë. Për fat të keq, Serbia nuk do të ketë në dispozicion kapitenin dhe golashënuesin më të mirë Aleksandar Mitrović, i cili është i dëmtuar, si edhe mesfushorin Nemanja Maksimović.

Paunović do të ketë një shtab teknik me gjashtë anëtarë, pesë prej të cilëve të huaj. Ai do të bashkëpunojë me ish-lojtarin portugez Nuno Gomes, që e ka ndihmuar edhe tek Oviedo, dhe me Quinton Fortune, ish-mbrojtës i Manchester United, me të cilin ka punuar për pesë vite. Stafit i janë bashkuar gjithashtu Claudio Arzeno, ish-futbollist argjentinas e tashmë trajner, dhe Aleksandar Rogić, aktualisht ndihmës tek AEK-u i Athinës. Përgatitjen fizike do ta drejtojë Alberto Fernandez, ndërsa trajner i portierëve do të jetë Jesus Salvador Garrido.

“Kam zgjedhur njerëz me të cilët kam punuar dhe që më njohin mirë. Kjo detyrë erdhi papritur dhe ishte logjike t’i marr me vete. Do të përpiqem të ndërthur stafin tim me njerëz nga Serbia, sepse unë përfshij, nuk përjashtoj askënd. Secili ka vlerë dhe të gjithë flasim një gjuhë të përbashkët, gjuhën e futbollit,” – deklaroi Paunović.

“Serbinë e pret një detyrë e vështirë, por një rezultat i mirë në Londër, që do të ishte gjithçka tjetër përveç një humbjeje, mund të vlente sa floriri. Por, sigurisht, në rastin e fitores së Shqipërisë kundër Andorrës, edhe triumfi përfundimtar i ekipit tonë në Wembley mund të mos jetë i mjaftueshëm.”

Një nga vendimet e para të trajnerit të ri ishte ndryshimi i planit të udhëtimit për në Londër, duke e shtyrë nisjen për të mërkurën në mënyrë që lojtarët të kenë më shumë kohë për t’u njohur me stafin e ri.

Debutimi i Paunović në “Wembley” pritet të jetë një provë e rëndësishme për trajnerin 47-vjeçar, që synon të rikthejë entuziazmin dhe unitetin në skuadrën serbe përpara ciklit të ri kualifikues.