Mancini pranon ofertën e Al Sadd një vit pas largimit nga Arabia Saudite
Sipas raportimeve në Itali, ish-trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, ka pranuar ofertën për t’u bërë trajneri i ri i ekipit Al Sadd në Katar, rreth një vit pas largimit të tij nga drejtimi i përfaqësueses së Arabisë Saudite.
Mediat italiane shkruajnë se Mancini ka arritur marrëveshjen për të marrë drejtimin e skuadrës së njohur të Qatar Stars League, pas ndarjes së Al Sadd me trajnerin Felix Sanchez më 15 tetor. Që nga ajo kohë, detyrën e përkohshme e kishte marrë Sergio Alegre.
Edhe pse gazetari Fabrizio Romano raportoi gjatë fundjavës se Mancini kishte refuzuar fillimisht ofertën nga Katari, ‘La Gazzetta dello Sport’ konfirmon se 60-vjeçari e ka ndryshuar qëndrimin dhe ka pranuar ofertën për të marrë drejtimin e ekipit.
Sipas burimeve të “Gazzetta”-s, Mancini ka firmosur një kontratë fillestare deri në fund të sezonit 2025–26, me mundësi rinovimi në varësi të rezultateve.
Trajneri italian, i cili fitoi Kampionatin Evropian me Italinë në vitin 2021, kishte kërkuar mundësi për t’u rikthyer në Serie A, por nuk gjeti projektin e duhur në vendlindje.
Gazeta italiane parashikon se Mancini do të udhëtojë drejt Katarit në mesin e kësaj jave për të përfunduar procedurat zyrtare dhe për të filluar punën e tij të re me Al Sadd-in.