Komiteti Olimpik Ndërkombëtar merr vendimin e guximshëm: transgjinoret përjashtohen nga garat!

Gratë transgjinore do të ndalohen nga pjesëmarrja në të gjitha garat olimpike për femra duke filluar nga viti i ardhshëm, sipas një raporti të ‘The Times’. Vendimi i ri i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) vjen pas polemikave të mëdha në Lojërat e Parisit 2024, ku fitueset e medaljeve të arta në boks, Imane Khelif nga Algjeria dhe Lin Yu-ting nga Tajvani, shkaktuan debate të gjera për çështjet e gjinisë dhe drejtësisë në sport.

Pas një hetimi shkencor të nisur vitin e kaluar, drejtuesja e re e KON-it, Kirsty Coventry, ish-notare nga Zimbabve, ka deklaruar se prioriteti i saj është “mbrojtja e kategorisë femërore”. Ajo ka ngritur një grup pune të përbërë nga shkencëtarë dhe federata sportive për të hartuar një politikë të re që do të hyjë në fuqi për Lojërat Olimpike Dimërore të Milanos dhe Cortina-s në shkurt.

Sipas burimeve, prezantimi i bërë nga drejtoresha mjekësore e KON-it, Dr. Jane Thornton, tregoi se ekzistojnë avantazhe të dukshme fizike për ata që kanë lindur meshkuj, të cilat nuk zhduken plotësisht edhe pas trajtimeve për uljen e nivelit të testosteronit. Këto përparësi, si masa muskulore, densiteti i kockave dhe kapaciteti i oksigjenit, konsiderohen ende vendimtare në sportet garuese.

Deri tani, rregullat e KON-it lejonin pjesëmarrjen e grave transgjinore nëse nivelet e tyre të testosteronit ishin të ulëta dhe të miratuara nga federatat përkatëse. Por pas reagimeve të shumta, sidomos në atletikë e udhëhequr nga Sebastian Coe, që tashmë ka ndaluar garueset transgjinore, pritet që Komiteti Olimpik të ndjekë të njëjtën linjë.

Coventry theksoi se kjo nismë “nuk do të ketë efekt prapaveprues” dhe se rezultatet e garave të mëparshme, përfshirë ato të Parisit 2024, nuk do të ndryshohen. Ajo tha:

“Ka pasur mbështetje të madhe që të mbrojmë kategorinë femërore. Është detyra jonë si KON të udhëheqim këtë proces dhe të gjejmë një konsensus mes ekspertëve dhe federatave.”

Megjithëse vendimi përfundimtar nuk është shpallur ende zyrtarisht, burime pranë KON-it pohojnë se ndalimi i pjesëmarrjes së grave transgjinore dhe atleteve me dallime të zhvillimit seksual (DSD) është praktikisht i vendosur, një hap që pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën si organizohen garat femërore në të ardhmen olimpike.