'Mori pjesë në vrasje?' Hill e mohon: Thaçi nuk ishte personi që e përshkroi Millosheviçi. Ai nuk e drejtonte UÇK-në
Christofer Hill, Ish i dërguar i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, deklaroi se UÇK-ja nuk ishte strukturë me organizim hierarkik.
Ai dëshmoi për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill për takimin e parë me Thaçin.
I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill thekoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.
“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi ai.
Thaçi nuk ishte personi që e përshkroi Millosheviçi
Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.
Avokati Misetiç e pyeti Hillin nëse Thaçi ishte “luftëtar i madh dhe kishte marrë pjesë në vrasje” siç pretendonte Millosheviç, gjë të cilën diplomati amerikan e mohoi.
“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviçi, por nuk kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër por nuk e ka bërë”, tha Hill.