Berisha: Grupi PD do të bëjë gjithçka që Parlamenti të funksionojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentarë të PD, në një deklaratë për mediat, u shpreh se PD do të bëjë çdo përpjekje për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë dhe për ta kthyer atë në një institucion që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Berisha akuzoi shumicën qeverisëse se ka shndërruar parlamentin në një instrument shtypës ndaj opozitës dhe qytetarëve, duke bllokuar debatin dhe duke shkelur parimet kushtetuese të funksionimit të tij.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës theksoi se Partia Demokratike do të përdorë të gjitha format e domosdoshme për të garantuar funksionimin normal të parlamentit dhe për t’i rikthyer atij rolin kushtetues si përfaqësues i interesave të qytetarëve. Berisha nënvizoi se deputetët e PD-së kanë marrë pjesë me seriozitet në punimet e komisioneve parlamentare, ndërsa bojkoti, siç tha ai, “nuk është një opsion” për opozitën.
Lideri demokrat paralajmëroi se opozita do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të rikthyer funksionimin kushtetues të institucionit më të lartë përfaqësues në vend.
Fjala e tij:
PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që i takojnë për ti rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë, për të kthyer parlamentin e Shqipërisë, në parlament që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së parlamentit.
Si do e bëni këtë?
Sali Berisha: Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e parlamentit, funksionimin e tij mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vetë parlamentit.
Bojkoti ishte vetëm për sot, do ketë deputetë nesër në komisione.
Sali Berisha: Ndonjë surprizë. Ju shkoni nesër në komisione dhe shifni. Edhe pasnesër.
A pati vendim, do shkoni apo jo në Komisione?
Sali Berisha: Vendimi është i prerë, do të bëhet çdo përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij, mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve.
Pra, nëse sot për sot, parlamenti funksionon i tëri jashtë përcaktimeve të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit;
Sot për sot, parlamenti është një instrument opresiv ndaj opozitës;
Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë.
Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh.
Si do të arrini këtë, cili është plani juaj?
Sali Berisha: Absolutisht do të përdorim të gjitha mjetet, gjersa parlamenti të funksionojë.
A i keni përdorur dhe më parë këto mjete?
Sali Berisha: Edhe po edhe jo...
Nesër do shkojnë deputetët në Komisionet parlamentare?
Sali Berisha: Bojkoti nuk është opsion. Ne e kemi të ndaluar bojkotin.