Trump i drejtohet sërish Gjykatës së Lartë: Të ndalet urdhri i gjyqtarit për financimin e ndihmës ushqimore
Administrata e Presidentit Donald Trump i tha të hënën Gjykatës Supreme të SHBA-së se vazhdon të kërkojë ndalimin e një urdhri të gjyqtarit, i cili kërkon që të financojë plotësisht ndihmën ushqimore për 42 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta këtë muaj, edhe pse ligjvënësit ndërmarrin hapa drejt përfundimit të mbylljes së qeverisë federale, raporton Reuters.
Avokatët e administratës u thanë gjyqtarëve në një letër se përfundimi i mbylljes së qeverisë, do të eliminonte nevojën për kërkesën e saj në lidhje me urdhrin e gjyqtarit.
Përpjekja e administratës për të financuar vetëm pjesërisht Programin e Ndihmës Plotësuese për Ushqyerjen, i njohur si SNAP ose kupona ushqimore, për nëntorin, mes mbylljes së qeverisë federale, është përballur me disa sfida ligjore.
Mbyllja aktuale është më e gjata ndonjëherë në historinë e SHBA-së, dhe deri në këtë fundjavë, demokratët dhe republikanët dukeshin të bllokuar në një përplasje të pafund.
Që prej tetorit, shumë shërbime qeveritare janë pezulluar, ndërsa rreth 1.4 milionë punonjës federalë ndodhen në pushim të detyruar ose po punojnë pa pagesë.
Kriza ka ndikuar gjithashtu në fusha të gjera të jetës publike, përfshirë udhëtimet ajrore në SHBA dhe përfitimet ushqimore për rreth 42 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta.