Genci Gjokutaj reagon pas ‘thirrjes’ së Berishës në SPAK: Nuk ka asnjë njoftim zyrtar, është një lajm i rremë
Avokati i kreut të PD, Sali Berisha, Genci Gjokutaj, ka reaguar pas lajmit të publikuar në media, sipas të cilit Berisha do të thirrej nga SPAK të premten, më 14 nëntor, në lidhje me hetimet për ngjarjen e 21 janarit.
Në një postim në FB, Gjokutaj e cilësoi njoftimin si “tërësisht të pavërtetë dhe të pa komunikuar”, duke theksuar se as Berisha dhe as mbrojtja e tij nuk kanë marrë asnjë thirrje zyrtare nga Prokuroria e Posaçme.
Reagimi i plotë i avokatit Genci Gjokutaj:
Të nderuar Miq!
Në lajmet e edicionit të orës 15.00 të Top Channel u njoftua thirrja e zotit Sali Berisha në SPAK ditën e premte datë 14.11.2025 ora 10.00 në lidhje me hetimet e 21 janarit!
Në cilësinë e avokatit mbrojtës të zotit Berisha sqaroj se nuk ka asnjë njoftim të Tij siç pretendohet.
Ky njoftim i rremë dhe i pakomunikuar bëhet nga institucione dhe prokurorë që paguhen për zbulimin e së vërtetëss dhe jo për të shpifur! Dalja në media e një njoftimi të pakomunikuar tregon dhe provon edhe një herë agjendën politike në shërbim të Qeverisë nga ana e SPAK!
Po si gjithnjë kush gënjen një herë gënjen përherë!