SYRI TV/ Zgjedhjet e pjesshme, qytetarët refuzojnë teatrin, morën pjesë 18.45% e votuesve
Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit janë bojkotuar masivisht nga qytetarët në 5 bashkitë e vendit. Me pjesëmarrje vetëm 18.45%, qytetarët treguan zemërimin ndaj pushtetit, duke i kthyer këto zgjedhje në një teatër që tejkaloi edhe rezultatin e votimeve para viteve 1990. Sipas KQZ-së, pati një pjesëmarrje të ulët nga të rinjtë, ndërsa disa votues, në vend të përzgjedhjes, iu përgjigjën pushtetit me vargjet e Faik Konicës.
SYRI TV
Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit përfunduan në një teatër, ku qytetarët zgjodhën t’i refuzojnë masivisht. Të zhgënjyer nga qeverisja 12-vjeçare e Edi Ramës dhe me një opozitë që nuk u fut në garë, por mbështeti kandidatët e pavarur, në zgjedhjet e mbajtura në 5 bashki morën pjesë vetëm 18.45% e votuesve – pjesëmarrja më e ulët në historinë e zgjedhjeve të mbajtura në 35 vite, madje edhe më e ulët se në vitin 2019 kur opozita bojkotoi zgjedhjet.
Vlora ishte bashkia me pjesëmarrjen më të ulët, me 12.5%, e më pas pjesëmarrje të ulët kishin edhe bashkitë e tjera si Berati, Cërriku, Tepelena dhe Mati, që kishte pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhje. Të zhgënjyerit më të mëdhenj, sipas KQZ-së, ishin të rinjtë.
Në ato pak vota që ishin në kuti, përballë denoncimeve për patronazhim, intimidim e detyrim të administratës, kandidatët e Partisë Socialiste regjistruan rezultat që as ata vetë nuk e prisnin, duke tejkaluar edhe votimet e regjimit para viteve ’90.
Vlora ishte bashkia e parë që nxori rezultatin, bashki në të cilën pati pjesëmarrjen më të ulët me 12.5% të zgjedhësve. Drejtuesja e Bashkisë së Vlorës do të jetë ish-deputetja Brunilda Mersini, e cila nën logon e PS arriti të marrë një fitore të thellë me 78%, por me vetëm 15,672 vota nga mbi 144 mijë votues që ka kjo bashki.
E njëjta panoramë paraqitet edhe në Bashkinë e Cërrikut, ku kandidati socialist Florenc Doka ka fituar me 66.22%.
Në Tepelenë, mes bojkotit të qytetarëve, ish-komandanti i Gardës Gramos Sako ka fituar me 77.85%, të përkthyera në vetëm 3,261 vota – pak a shumë sa numri i punonjësve të administratës së bashkisë dhe drejtorive të pushtetit qendror në këtë bashki.
Në Bashkinë e Matit, Altin Bojni i Partisë Socialiste fitoi me 7,425 vota ose 66.54%.
Berati shënoi rekordin historik të këtyre zgjedhjeve me 83.35% për kandidatin e Partisë Socialiste, Ervin Ceca. Por jo vetëm bojkot – qytetarët duket se e dhanë verdiktin e tyre në këto zgjedhje edhe me fletën e votimit, ku në vend të zgjedhjes së kandidatit i përcollën pushtetit vargjet e Faik Konicës.