Berisha: Rama mori në mbrojtje Lubinë! Pasi Gjiknuri e Ahmetaj refuzuan të firmosin, ai u tha se ‘kjo i zgjidh punët e mia’

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka marrë në mbrojtje ministren Belinda Balluku pas skandalit të tunelit të Llogarasë dhe tenderit për aeroportin e Vlorës. Në mbledhjen e grupit parlamentar në PD, Berisha u shpreh se Rama ka mbështetur Ballukun edhe pasi ish-ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj kanë refuzuar të firmosin kontratën, për shkak të dyshimeve për një aferë me vlerë mbi 120 milionë euro. Berisha pretendon se Rama ka përdorur këtë projekt për “të zgjidhur punët e tij personale”, ndërsa ka akuzuar qeverinë për përfshirje në kërcënime mafioze dhe shkelje ligjore në favor të interesave korruptive.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha: 

Pas skandalit të tunelit të Llogarasë, zoti Pacolli informoi shqiptarët për një skandal identik me të, për një tender që nuk u zhvillua kurrë përveçse në zyrën e Lubisë, për një objekt që ishte parashikuar në kontratë 105 milionë, dhe gjer tani është 140 milionë dhe janë edhe 30-40 milionë që duhen investuar për t’u përfunduar.

Sepse Edi Rama dhe Lubia kishin parashikuar atë me një qëllim të vetëm, aeroportin më ët madh në Ballkan, që të realizonin vjedhjen më të madhe në Ballkan.

Por një gjë, e vërtetë është, që ne nuk ndërhyjmë në ato punët e brendshme të aksionerëve, i zgjidhin vetë ata, por një moment kishte aty. Momenti supermafioz i kërcënimit me jetë të Bexhet Pacollit.
Ai ka domethënien e madhe në vetvete, ai ka domethënien se cilët janë enturazhi i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.
Zoti Pacolli, natyrisht me atë superkujdesin e tij, nuk citonte Ramën.
Por po tha Lubia, është Rama, kjo është e njohur.
Por i tha gjërat.

Pra, qytetarët duhet ta dinë se dy ministra të qeverisë socialiste, përkatësisht Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk kanë pranuar të firmosin tenderin për aeroportin e Vlorës sepse nuk kanë qenë dakord për 120 milionë euro që duheshin paguar për biletat e munguara.
Dhe ata normal kanë kërkuar që aeroporti të ndërtohej me faza, siç është bërë me aeroportin e Tiranës.
Me një fjalë, kanë kërkuar atë që duhej pranuar dhe nuk kanë pranuar të firmosin.

Kur Lubia ka firmosur, Edi Rama u ka thënë atyre se kjo më zgjidh punët e mia, ju nuk më duheni gjë.
Por në vend që të japë dorëheqjen së bashku me Lubinë e tij, ai ka deklaruar në mbledhjen e partisë, në mbledhjen e Tiranës, se ky është një sulm që Skapi i partisë i bën Edi Ramës dhe Lubia nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore. Asnjë gjë prej gjëje.

Dhe në fakt siç e shihni, ajo vazhdon veprimtarinë, ndonëse si një fantazmë, sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Sepse autori i kësaj është Edi Rama dhe kjo ka zbatuar urdhrat e tij kriminalë.
Ka shkelur ligjet e vendit dhe është përgjegjëse absolutisht 100 përqind, por bashkë me Ramën.