E PLOTË/ Vrau gjyqtarin Kalaja, Elvis Shkambi letër nga burgu: Prej vitesh ishim kthyer në eksperiment njerëzor
Shqipëria u trondit pak kohë më parë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Gjyqtari u qëllua me tre plumba nga Elvis Shkambi që ishte palë në një proces gjyqësor.
Së fundmi Elvis Shkambi që tani ndodhet në burg ka reguar për herë të parë pas ngjarjes së rëndë.Elvis Shkambi ka dërguar një letër për mediat, siguruar per Syri-n nga gazetari Elton Qyno.
Nga burgu 313 ai ka treguar për peripecitë për pronat dhe proceset gjyqësore.
Kjo është letra e dërguar nga Elvis Shkambi:
Letër drejtuar qytetarëve të vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
Një muaj më parë, më datë 06.10.2025, mbarë vendi u trondit nga një incident i rëndë që ndodhi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Si pasojë e këtij incidenti, një person, me funksion ‘gjyqtar’ në këtë gjykatës, fatkeqësisht humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa dy të tjerë, fatmirësisht shpëtuan me dëmtime të lehta.
Gjatë kësaj periudhe, unë nuk kam bërë ndonjë deklaratë publike dhe i kam kërkuar edhe familjarëve të mi të mos e bëjnë një gjë të tillë, si dhe i kam sugjeruar mbrojtësit tim ligjor, të tregohet sa më i rezervuar, lidhur me këtë ngjarje në daljet e tij televizive, në respekt të dhimbjes së familjes së të ndjerit
Sot, personalisht po I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kalaja, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit për humbjen e njeriut të tyre të dashur! Ndjej një keqardhje shumë të madhe për dhimbjen që u kam shkaktuar, sidomos në raport me 3 fëmijët e tij, për të cilët besoj, ai ka qenë njeriu më I mirë dhe më I dashur në botë.
Ndjej një keqardhje shumë të madhe edhe për familjen time, të afërmit, miqtë, kolegët e ish kolegët, të cilët me veprimet e kryera në atë ditë fatkeqe, i kam tronditur, mërzitur e padyshim zhgënjyer.
Ajo që ndodhi atë ditë, ishte një reagim I palogjikshëm. Do e them dhe do e përsëris sat ë kem frymë, që ai vendim ishte më shumë se sa skandaloz.
Me vendimin paraardhës, i cili u la në fuqi më 6, 1-. 2025, është synuar ‘grabitja’ e titullit ekzekutiv pra ‘pavlevshmëria’ e tij një gjë e cila nuk mund të kërkohet në asnjë situatë nga ‘personi i tretë’, siç ishte rasti I kundërshtarëve tanë në gjyq. Nëse vendimi I Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ishte një produkt edhe I paditurisë, vendimi I datës 6 tetor 2025 për ta lënë në fuqi nuk ishte nga padituria, por I ndikuar nga faktorë të tjerë.
Prej 13 vitesh, xhaxhai im Gjon Shkambi, ishte kthyer në një ‘eksperiment njerëzor’ nga sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe në një kohë kur unë po mundohesha t’i jepja fund këtij ‘eksperimenti’ Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vendosi vazhdimin e atij eksperimenti.
Ai vendim gjykate bie haptazi ndesh me: Kodin Civil të republikës së Shqipërisë, vendimet unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe të Kolegjit Civil të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Çdo jurist që ka një nivel optimal të integritetit t’jua konfirmojë një gjë të tillë.
Ky nivel padrejtësie a e justifikon aktin tim? Jo, nuk e justifikon. Të kundërshtosh një padrejtësi ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, përveçse është moralisht e drejtë, është diçka shumë burrërore dhe fisnike, por jo për çdo mënyrë reagimi ndaj padrejtësisë është e duhura, apo justifikohet. E kështu, atë ditë, duke qenë I vetëdijshëm që kam kryer një krim, kam pritur në oborrin e gjykatës, derisa kanë mbërritur organet ligjzbatuese, të cilave u jam dorëzuar për ti dhënë shtetit llogari për shkeljet e kryera.
Më lejoni të ndaj me ju një varg të një poezie të cilën e kam lexuar këtu në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja” :
“… Dhe kur në ‘Olimpin e Padrejtësisë’ mbjell frikë…”
Ata bëjnë një tjetër komplot djallëzor.
Me gënjeshtra, shpifje dhe çdo intrigë
Që përpara botës të dalësh ti ‘fajtor’”
Jam më se i sigurt që mijëra qytetarë të këtij vendi kanë qenë subjekte padrejtësie ekstreme në gjykata, sidomos në procese civile, prandaj edhe po ju inkurajoj që të mos hiqni kurrë dorë nga të drejtat tuaja dhe të mbroni interesat tuaja të ligjshme, por bëjeni këtë gjë në formën e duhur, duke mos kaluar ‘vijën e kuqe’, sepse rruga e ‘vështirë’ do të kthejë në ‘agresor’ e pastaj, përpara botës do të dilni ju fajtorë.
Në Shqipëri ka plot magjistratë të aftë dhe të ndershëm, por ka edhe shumë të lig, e këta të fundit nuk kanë fe, as atdhe, as pikë morali njerëzor. Këto specie mizore e përdorin ‘çekiçin e drejtësisë’ për t’i thyer kokën të drejtit dhe e kanë kthyer ‘peshoren e drejtësisë’ në një gjë thuajse abstrakte e cila vetëm shihet; as nuk preket as nuk ndihet.
Në mbyllje, dua t’u them atyre që prej datës 6 tetor më kanë sulmuar dhe etiketuar me lloj-lloj epitetesh, pa më njohur kurrë më parë, uroj që realisht ta bindin veten e tyre që unë jam ‘e keqja më e madhe e këtij vendi’ dhe duke ditur që kjo e ‘keqe e madhe; është pas hekurave, shpirti I tyre të gjejë qetësinë e munguar.
Punonjësve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u them që më vjen keq, sidomos pë rata që kam njohur nga afër, sepse kam parë trishtim në sytë e tyre, por shpresoj të më mbajnë mend për atë që isha para datës 6 tetor 2025.
Gjithashtu, po u drejtohem sërish fëmijëve të të ndjerit: paralelisht me urrejtjen që kultivoni ndaj meje, kërkoni pë të vërtetën! Ata që shtynë babain tuaj të merrte një vendim totalisht të padrejtë janë po aq fajtorë sa unë që ai nuk është sot me ju.
Unë kam shumë për të treguar dhe do të tregoj kur të jetë momentin. Unë dhe shteti shqiptar e njohim mirë njëri-tjetrin dhe jam besimplotë që do I japim llogari njëri-tjetrit për dëmet dhe padrejtësitë që I kemi bërë njëri-tjetrit.
Zoti i bekoftë dhe i nderoftë të gjithë qytetarët e ndershëm të republikës së Shqipërisë.
Elvis Shkambi