Krizë në BBC pas skandalit të dezinformimit ndaj Trump: Dorëheqje në nivelet më të larta, pritet falje zyrtare
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, pritet të kërkojë falje me shkrim para një komisioni parlamentar ditën e sotme, në vijim të krizës më të madhe që ka përfshirë korporatën britanike të medias gjatë viteve të fundit.
Dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtoreshës ekzekutive të BBC Neës, Deborah Turness, të dhëna mbrëmjen e së dielës, erdhën pas kritikave të ashpra se programi investigativ Panorama kishte manipuluar një fjalim të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas gazetës The Telegraph, një memo e brendshme e rrjedhur nga BBC tregonte se redaktorët e Panorama-s kishin bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump në mënyrë që të krijonin përshtypjen sikur ai po nxiste trazirat në Capitol Hill në janar të vitit 2021.
Dokumenti i gjerë kritikonte gjithashtu mënyrën e mbulimit të ngjarjeve nga BBC Neës në fusha të tjera, ndërsa autori i tij shkruante se e kishte dërguar memorandumin “në dëshpërim për shkak të mosveprimit të Ekzekutivit të BBC-së”.
Në deklaratën e tij, Davie pranoi përgjegjësinë përfundimtare, duke thënë:
“Janë bërë disa gabime dhe si drejtor i përgjithshëm duhet të marr përgjegjësinë përfundimtare.”
Ndërsa Turness, e cila foli mëngjesin e sotëm teksa mbërriti në selinë e BBC-së, theksoi:
“Dua ta bëj një gjë shumë të qartë – BBC Neës nuk është e anshme në mënyrë institucionale.”
Ngjarja është cilësuar si “sizmike” nga redaktorja e medias, Katie Razzall, e cila shkroi se “nuk mund të mos mendoj se kjo është më shumë sesa duket”.