Studimi për fëmijët: Ekranet ulin vëmendjen, leximi e përmirëson
Fëmijët që përdorin më shpesh pajisje elektronike kanë tendencë të kenë nivele më të ulëta vëmendjeje, ndërsa leximi i pavarur lidhet me përqendrim më të mirë. Këto janë rezultatet e një studimi me mbi 1000 fëmijë, pjesë e projektit LIFE Child në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Leipzig-ut. Studimi u botua në revistën BMC Pediatrics.
Përdorimi i mediave elektronike si televizori, telefonat dhe tabletët zakonisht kërkon kalime të shpejta të vëmendjes, pasi paraqiten vazhdimisht stimuj të rinj. Ndërsa leximi kërkon përqendrim të vazhdueshëm. Bazuar në këtë, studiuesit shqyrtuan nëse përdorimi i ekraneve ndikon në uljen e përqendrimit afatgjatë te fëmijët, ndërsa leximi ndihmon në përmirësimin e tij.
Për të matur vëmendjen, 1057 fëmijë të ndarë në dy grupmosha, nga 3 deri në 6.5 vjeç dhe nga 6.5 deri në 11 vjeç, morën pjesë në një test kompjuterik. Ata duhej të shtypnin një tast kur shfaqej një imazh i caktuar dhe të mos reagonin ndaj të tjerëve.
Gjatë testit 7-minutësh, studiuesit regjistruan "gabime mosreagimi" (që tregojnë mungesë përqendrimi) dhe "reagime të rreme" (që tregojnë mungesë kontrolli të impulsit). Prindërit raportuan gjithashtu sa kohë kalonin fëmijët para ekranit dhe sa shpesh lexonin vetë.
"Fëmijët që përdornin më shumë pajisje elektronike bënin më shumë gabime në test sesa ata që kalonin më pak kohë para ekraneve," shpjegon dr. Tanja Poulain, autorja kryesore e studimit. "Te fëmijët parashkollorë, shikimi i filmave ose serialeve lidhej me kontroll më të dobët të impulseve, ndërsa te fëmijët e shkollës fillore, përdorimi i tepërt i filmave, serialeve apo videolojërave lidhej me përqendrim më të ulët."
Në të kundërt, fëmijët e shkollës fillore që lexonin rregullisht bënin më pak gabime, duke treguar se leximi lidhet me përqendrim më të mirë. Studimi zbuloi gjithashtu se vajzat bënin më pak gabime sesa djemtë.
Rezultatet mbështesin kërkime të mëparshme që tregojnë se përdorimi i shpeshtë i rrjeteve digjitale shoqërohet me vëmendje më të dobët. Ndryshe nga studime të tjera, ky kërkim përdori teste të standardizuara dhe jo vetëm pyetësorë nga prindërit. Studiuesit vunë re gjithashtu se jo vetëm aftësia për të lexuar, por edhe shpeshtësia e leximit, ka lidhje të drejtpërdrejtë me përqendrimin.
Megjithatë, ata theksojnë se studimi nuk provon shkakun dhe pasojën, por tregon rëndësinë e kufizimit të kohës para ekraneve dhe të nxitjes së leximit te fëmijët.
Projekti LIFE Child, që po zhvillohet prej 14 vitesh në Universitetin e Leipzig-ut, përfshin mbi 6000 fëmijë nga rajoni, duke analizuar si faktorët e mjedisit dhe stilit të jetesës ndikojnë në zhvillimin fizik dhe mendor të tyre. / Gene Online - Syri.net