Liria që nuk votoi, 'Ismail Qemali' pa të drejtë vote

Një emigrant shqiptar që jeton në Itali, Ylli Meçaj, udhëtoi drejt qytetit të tij të lindjes, Vlorës, me një qëllim të qartë: të ushtronte të drejtën e tij të votës në zgjedhjet lokale. Megjithatë, ajo që duhej të ishte një akt i thjeshtë qytetar, u shndërrua në një odise të pafundme burokratike, duke ia mohuar në fund mundësinë për të votuar.

Meçaj, së bashku me bashkëshorten e tij, u paraqit në qendrën e votimit ku kishte votuar gjithmonë, vetëm 150 metra larg banesës së tij në lagjen historike “Muradie”. Por aty e priste një surprizë e hidhur. Pasi dorëzoi dokumentet e identifikimit, komisionerët i komunikuan se emri i tij nuk figuronte në listën e asaj qendre votimi.

“Ju nuk figuroni në këtë listë,” i thanë ata, duke e lënë të habitur qytetarin që kishte përshkuar qindra kilometra për të kryer detyrën e tij. Pas një verifikimi të mëtejshëm, u zbulua se emri i tij ishte zhvendosur në një tjetër qendër votimi, rreth 3.5 kilometra larg, në një lagje periferike të qytetit.

LEXO EDHE: Ndodh në Vlorë: Nuk lejojnë të votojë ‘Ismail Qemalin’

Nga studioja e 'Kafe Shqeto', Meçaj shpjegoi se kjo distancë, në një ditë me shi, u bë një pengesë e pakapërcyeshme për të dhe bashkëshorten e tij.

 “Ne jemi moshatarë. Gruaja ime ka probleme me shëndetin dhe mezi lëviz,”  “Fare nuk votova, sepse nuk shkuam dot,” tha ai me keqardhje.

Në vend që të hidhnin votën, çifti Meçaj përfundoi duke pirë një kafe ndërsa priste të pushonte shiu, për t'u kthyer më pas në shtëpi, të zhgënjyer dhe me të drejtën e votës të mohuar.

LEXO EDHE: 'Erdhën nga Italia për të votuar, por emri ynë nuk gjendet në listat e votuesve'/ Çift shqiptar: Jemi zhgënjyer, do ikim pa votuar

Rasti i Ylli Meçajt ngre pikëpyetje serioze mbi administrimin e listave të zgjedhësve dhe problemet burokratike që pengojnë qytetarët të ushtrojnë një të drejtë themelore kushtetuese, veçanërisht ata që bëjnë sakrifica të mëdha për të qenë pjesë e procesit demokratik.

Deklarata e plotë:

"Është e vërtetë. Tani siç është, ndodhi një paradoks i çuditshëm. Unë para pak ditësh erdha nga Italia për dy misione këtu në Vlorë. Se jam rezident italian me familje, me të tërë, me fëmijë.

Edhe pata dy misione. E para të vija të bëja një regjistrim për Skënderbeun tek Gostivar, në të cilët e realizova para pak ditësh. E dyta isha votues i rregullt dhe dua që t'i jepja kontributin tim në votimet lokale.

Mirëpo ndodhi një paradoks. Shkojmë në qendrën e votimit, të cilën e kam nga banesa ime rreth 150 m larg. Aty kemi votuar gjithmonë, na njeh gjithë lagja, është lagja e vjetër tradicionale që quhet Muradie e Vlorës, lagja e vjetër. Dhe për paradoksin më të madh, komisioni i votimit, i përcolla kartat e identitetit, se e dhashë bashkë me bashkëshorten, dhe pasi kaluan ato aparaturat që kanë ata për verifikuar, na thonë që zotëri e zonjë, juve nuk figuroni në këtë listë. Nuk figuroni në qendrën e votimit. Si ka mundësi i thashë moj?

Ne jemi gjitonë të vjetër, jemi 100 m larg prej qendrës së votimit. Po ku do votoj unë tani se kam ardhur nga Italia thashë? Ja të kontrollojmë njëherë tha. U fut në kontroll dhe më del emri im në një qendër votimi rreth 3 km e gjysëm larg qendrës së Vlorës. Okej. Në një qendër votimi në një lagje periferike të themi. Që unë po të nisesha me gruan time nga sheshi i Flamurit edhe deri në qendrën e votimit, në atë ditë që ishte me shi, më duheshin të paktën nja dy orë.

A e kuptove si funksionon? Jo po, kjo na mohoi të drejtën sepse ishim me shumë qejf për të votuar...

Fare nuk votova, se nuk shkuam dot. Se sa u nisëm, duhet të merrnim një taksi që bënte 20.000 lekë të vejë, 20.000 lekë të vijë. E para. E dyta, iknim në këmbë, ishe 3 km në këmbë. Ne jemi moshatarë. Gruaja ime ka probleme me shëndetin, mezi lëviz nga këmbët.

U detyruam të vemi deri tek teatri dhe më nuk kishim takat për të ikur më. Filloi dhe shiu, u futëm te kafja, pimë ato kafenë... Të pimë dhe shiun, po pimë dhe shiun. Morëm këmbët në krah, erdhëm në shtëpi. E kuptoj. Ky është problemi i qendrës së votimit dhe i lëvizjes së listave. Ky më çuditi. A patët predispozitën e punonjësve aty, komisionerëve që ta zgjidhnin situatën? U përpoqën ata ta rregullonin mundësinë që ju ta shprehnit vullnetin tuaj?"